Përballjet ndërmjet Skënderbeut dhe Partizanit kanë qenë gjithmonë të veçanta, për cilësitë dhe objektivat që kanë dy skuadrat, por edhe për rivalitetin në fushë dhe tribuna. Tashmë supersfidës së Kategorisë Superiore i shtohet edhe një element, trajneri Andrea Agostineli përballë së kaluarës. “Natyrisht që si të gjithë ish-ët, kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Por, ajo që ka më tepër rëndësi është që skuadra ime të fitojë. Mendoj se lashë një kujtim të mirë, ashtu si edhe një punë të mirë profesionale, por nuk e di se çfarë ndodh këtë vit te Partizani”, u shpreh Agostineli.
Tekniku italian vlerësoi forcën e ekipit tek të kuqtë, por beson se korçarët kanë kualitetin të fitojnë me këdo kundërshtar. “Pikat e forta të kundërshtarit janë të dukshme. Vetë skuadra e Partizanit është e kompletuar dhe duhet mbajtur në konsideratë. Ata janë një grup tejet i fort dhe aty e mbështesin lojën. Mendoj se kemi karakteristikat e duhura për të fituar jo vetëm me Partizanin, por me të gjithë kundërshtarët. Në aspektin taktik dhe teknik, jemi dy skuadra krejt të ndryshme, por secili ekip ka mundësinë që ta fitojë ndeshjen, duke shfrytëzuar karakteristikat dhe pikat e tij më të forta. Nuk kam frikë nga Vila apo nga ndonjë lojtar tjetër i veçantë. I vlerësoj si futbollistë dhe si persona, por e përsëris që forca e Partizanit është grupi dhe ne duhet t’i shfaqim respektin që meritojnë, ashtu si edhe kundërshtarët tanë do ta bëjnë me ne”, tha ai.
Përballja e kësaj të enjte në orën 17:00 në Korçë do të përcaktojë edhe se cila prej dy skuadrave do ta mbyllë gjysmën e parë të sezonit pranë kryesuesve të Kukësit. Edhe pse Skënderbeu-Partizani është një duel direkt për titullin, Agostineli nuk ndihet nën presion. “Nuk kemi presion. Duhet t’i luajmë ndeshjet një nga një. Me këtë sfidë përfundon gjysma e parë e sezonit dhe shpresojmë që të përmirësojmë pozitat tona në renditje. Për presion është normale të flasësh në javët e fundit, por jo në këtë moment. Synimi është që në javën e fundit të kampionatit të kemi të paktën një pikë më tepër se rivalët e tjerë për titull. Besoj te skuadra ime, te klubi im dhe natyrisht që nuk kam aspak frikë nga këto tre pikë diferencë në renditje nga kryesuesit. Ne duhet të vijojmë të luajmë me intensitetin që kemi paraqitur në 6-7 ndeshjet e fundit”, përfundoi ai.