Ministrja e Arsimit, Besa Shahini duket se nuk e ka pritur mirë pyetjen e gazetares së Top Channel në lidhje me abuzimin seksual të të miturës në Babrru nga roja i shkollës. Gazetarja Kristi Gongo pyeti ministren pse nuk u veprua kur kishte informacion nga drejtori i shkollës për abuzimet nga Abaz Shehu. Pyetja nuk u prit mirë nga ministrja Shahini e cila e konsideroi si joprofesionale dhe tendecioze duke mos i dhënë përgjigje konkrete gazetares dhe duke i fikur mikrofonin.
Gazetarja: Një pyetje për ministren, ju thoni se ndiheni krenare kur bëhet denoncimi për këtë çështje, por nga ana tjetër, ju kishit informacion për këtë çështje. Pse nuk vepruat?
Besa Shahini: Kjo nuk është pyetje, kjo nuk është profesionale.
Gazetarja: Kjo nuk është ajo që them unë.
Besa Shahini: Është nga ana juaj si gazetare, dashakeqëse.
Kristi Gongo: S’është nga ana ime, është nga ana e drejtorit të shkollës.
Besa Shahini: Është joprofesionale të bëni pyetje tendencioze.
Kristi Gongo: Nuk mund të më akuzoni për joprofesionalizëm.
Besa Shahini: Mos flisni për rastet se dëmtoni viktimat. Por çdo indikacioni që është denoncuar nga drejtori janë marrë masat e pezullimit dhe shkarkimit. Po ju vë në kontekst, si gazetar që mbuloni arsimin. Rojet e shkollës janë punësim i bashkisë. Në këtë rast, bashkia e ka tërheq rojen me kërkesën e drejtorit të shkollës. Nuk ka patur kurrfarë njoftimi. Arsyeja pse mendoj se është pyetje joprofesionale është kjo, se një drejtor që jep deklarata pasi është shkarkuar, duhet të shtrohen pyetjet para se të bëni pyetje tendencioze. (Fiket mikrofoni i gazetares së Top Channel).