Shakaja e vitit/ AKSHI: Shqipëria u rendit vendi i parë në botë për sigurinë kibernetike

Edhe pse infrastruktura dixhitale publike e Shqipërisë u shpartallua nga sulmet kibernetike, edhe pse të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë janë të gjitha në pazar, AKSHI njoftoi se Shqipëria është renditur vendi i parë në botë për sigurinë kibernetike.

Përmes një njoftimi zyrtar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka bërë të ditur se Shqipëria zuri vendin e parë në konkurrimin e Global CyberDrill, që vlerësohet si ngjarja më e madhe vjetore e që bën bashkë përfaqësues të komunitetit të ekspertëve nga e gjithë bota në një lajtmotiv të vetëm: Menaxhimin e shpejtë dhe adresimin efikas ndaj kërcënimeve kibernetike.

“Ekipi kuqezi u përfaqësua nga Franc Zylyftari, pjesë e Drejtorisë së Sigurisë e-Gov, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Adriano Lleshi dhe Ilir Daka, nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. Gara u zhvillua mes 113 shteteve pjesëmarrëse, ku u simuluan skenarë realë të sulmeve kibernetike për të testuar ekipet kombëtare duke vlerësuar performancën e tyre në bazë të shpejtësisë dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike,” thuhet në njoftimin e AKSHI-t.

Sipas AKSHI-t në këtë garë theks i veçantë iu vendos rolit të rëndësishëm që kanë qendrat kombëtare të sigurisë dhe ekipet e reagimit ndaj emergjencave kompjuterike, si dhe rritjes së qëndrueshmërisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike të informacionit.

“Bashkë me përmirësimin e performancës së sistemeve elektronike, shërbimeve publike elektronike dhe zhvillimin rrënjësor të shtetit digjital, Shqipëria ka drejtuar ndjeshëm vitet e fundit vëmendjen ndaj forcimit të masave dhe rritjes së nivelit të gatishmërisë ndaj kërcënimit të vazhdueshëm kibernetik. Aktualisht, strukturat mbrojtëse vlerësohen të një standardi të lartë për t’i përballuar në kohë rreziqet eminente, ndërsa pozicionimi në vend të parë Global CyberDrill është një tregues i qartë për kapacitetet e profesionistëve që aderojnë pranë institucioneve më të rëndësishmë për Teknologjinë dhe Mbrojtjen Kibernetike në Shqipëri,” deklaron AKSHI.

Dikur Shqipëria e Enver Hoxhës fitonte çmime të para të botë për sigurinë ushqimore, edhe pse shqiptarët nuk kishin më as bukë thatë në tryezat e tyre. Kohët kalojnë për zyrtarët qesharakë që qeverisin vendin janë gjithmonë aty dhe çajnë përpara botën me çmime të para./kapitali.al

Exit mobile version