Herolind Shala, mesfushori kosovar, ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook se do të vazhdojë të mbetet pjesë e Kombëtares, edhe pse nuk është ftuar nga Gianni de Biasi në Euro 2016, përcjell “Express”.
“Përshëndetje miq. Siç e dini nuk jam pjesë e skuadrës për në Francë, por unë do të vazhdoi ta përkrahë Shqipërinë dhe të jem pjesë e vendit tim. Zgjedhjet e trajnerit duhet respektuar dhe shpresoj një sukses në Kampionatin Evropian. Gjithçka që keni lexuar për mua nuk janë të vërteta, do të jem pjesë e Shqipërisë përgjithmonë. Forca Shqipëri. #HS”, ka shkruar Shala në Facebook.
Reagimi i vëllait të futbollistit
Reagimi nuk është i tiji, por është i rëndë.
Nuk pritej që largimi nga ekipi përfaqësues të pritej kaq keq në familjen e Herolind Shalës.
Vëllai i tij, Mirlindi, ka shpërthyer në rrjetet sociale, pas shpalljes nga trajneri De Biazi të listës së 23 lojtarëve që do të shkojnë në Europian.
Pasi shkruan se Herolindi e meritonte të ishte në Europian, dhe se familja e tij ka mbetur shumë e zhgënjyer nga lënia jashtë, Mirlindi kalon në tema të tjera.
Sipas tij, shprehja “Kosova është Shqipëri”, pas kësaj që ndodhi është po aq ofenduese sa shprehja “Kosova është Serbi”.
“Për mua, – vazhdoi vëllai i Shalës, – Shqipëria është vend i huaj”, dhe uron që kombëtarja shqiptare të humbasë në Europian, madje që Serbia ta mundë përsëri nëse do të ndeshen së bashku.
Mirlindi paralajmëron edhe se nuk dihet nëse vëllai i tij do të luajë në të ardhmen për Shqipërinë apo Kosovën.
Ky është reagimi më i ashpër i ardhur pas vendimit të De Biazit, edhe pse nuk ka ardhur drejtpërdrejt nga futbollisti që luan në Republikën Çeke.
Polemika e Gjimshitit ishte e përmbajtur, ndërsa Rrahmani u tregua plotësisht mirëkuptues me veprimin e trajnerit.
Mesa duket për të, dëshira për të fituar apo humbur Shqipëria, dhe vlerësimi nëse Kosova është apo jo Shqipëri, lidhet me fatin e vëllait në kombëtaren shqiptare.