Shalsi ofron pazar për plehrat e Ramës

Drejtuesit e rezistencës kundër miratimit të ligjit për riciklimin e mbetjeve denoncojnë tentativat për t’u blerë nga ricikluesit. Në takimet kokë më kokë, palët e interesuara kanë ofruar pazar për krerët e kësaj rezistence civile, pazar që është refuzuar nga ata që e kanë denoncuar
“I famshmi Eduart Shalsi, dikur armik i flaktë i riciklimit të plehrave në vitin 2005, sot ka rinisur edhe më ethshëm betejën për “plehrat e Edi Ramës”, Pasi Presidenti Nishani ktheu ligjin e propozuar po nga Shalsi, ky i fundit ka nisur sërish betejën për të bërë të mundur miratimin e këtij ligji”, thotë gazetari dhe aktivisti Armir Shkurti, në një prej faqeve në Facebook.
Eduart Shalsi ka nisur që ta luajë këtë lojë në mënyrë shumë tinzare tani. Ai i ka dhënë fjalën shefit të tij se do ta çojë deri në fund misionin e tij dhe i ka hyrë sërish punës me shumë zell. Tashmë, ai ka ftuar disa shoqata fantazëm që ai i konsideron “shoqëri civile”, që të japin mendime për përmirësimin e ligjit. Ai ka lënë jashtë dy shoqata të fuqishme që kanë ngritur fort zërin kundër një projekti të tillë, si Aleancën për Mbrojtjen e Vlerave Kombëtare si edhe AKIP (Aleanca Kundër Importit të Plehrave). Këto dy shoqata e nisën protestën deri në organizimin e një rezistence të fuqishme që detyroi Presidentin e Republikës ta kthente sërish ligjin në Parlament dhe gjithashtu detyroi mazhorancën që të presë për të kaluar ligjin në Parlament, kur rezistenca të ketë humbur vëmendjen ndaj këtij projekti. Në vend të këtyre dy shoqatave, Shalsi ka ftuar disa shoqata anonime që nuk kanë patur asnjë prononcim në këtë problem të një rëndësie kombëtare, si edhe shoqatën e ricikluesve që janë të interesuar që ky ligj të kalojë sa më shpejt e të fillohet nga puna.
Qëllimi i kësaj loje sipas komentit, është inflacioni i aktorëve e për rrjedhim, zhvleftësimi i atyre të vërtetë. Nëse mendimi i dy grupimeve të vërteta të rezistencës kundër importit të plehrave do të renditet mes 20-30 mendimeve të shoqatave të tjera, atëherë Shalsi përdor armën e shumicës dhe i lan duart, duke krijuar opinionin se, “shoqëria civile” përgatiti ligjin e jo ai vetë, si dhe ishin këto organizata që përgatitën terrenin për të nisur një biznes të tillë të rrezikshëm për kushtet e vendit tonë.
Gjithashtu sipas komentit, drejtuesit e rezistencës denoncojnë tentativat për t’u blerë nga ricikluesit. Në takimet kokë më kokë, palët e interesuara kanë ofruar pazar për krerët e kësaj rezistence civile, pazar që është refuzuar nga ata që e kanë denoncuar.
Pra është e qartë se Rama, jo vetëm që s’ka hequr dorë nga sjellja e plehrave në Shqipëri, por po rinis me energji të reja luftën për ta kaluar me çdo mjet këtë ligj.
Opozita e ka cilësuar ligjin për importin e plehrave si të sponsorizuar nga mafia dhe që do ta kthejë vendin tonë në një pikë grumbullimi gjigante të mbetjeve të rrezikshme. Janë dymbëdhjetë vende të BE-së që nuk e pranojnë importin e plehrave.

Exit mobile version