Shangai Shenua 80 milionë euro për Tevez

Carlos Tevez tundohet nga milionat e eurove. Kur ish-sulmuesi i Juventusit u largua nga Torino në vitin 2015, ai kishte vetëm një skuadër në mendje, atë të Boca Junior, ekip ku kishte nisur hapat e tij të parë si futbollist profesionist dhe ku dëshironte që të mbyllte karrierën e tij. Por, në ditët e sotme, kur në sportin e futbollit, qarkullojnë miliona euro është e vështirë t’i rezistosh tundimit e një gjë e tillë i ka ndodhur sulmuesit argjentinas. 80 milionë euro në dy vite është shuma që i është ofruar, Tevezit nga ekipi i Shangai Shenua.
Nëse transferimi i 32-vjeçarit realizohet, Boca Junior do të përfitojë 16.5 milionë euro, një shifër e konsiderueshme, duke patur parasysh që Apashi ka një kontratë me ekipin argjentinas që skadon më 2018, shto këtu edhe moshën e tij. Arsyet që e kanë bindur Tevezin për të pranuar ofertën është se ai ndihet i lodhur nga futbolli argjentinas. Këtë e pohojnë dhe miqtë e tij të afërt, madje edhe ai vetë disa herë ka lënë të kuptohet se një aventurë e re në kampionatin kinez do t’i pëlqente. Nga ana tjetër, duket se tifozët do të bëjnë gjithçka për ta bindur sulmuesin të mos largohet, por kampionati kinez po e thërret, bashkë me milionat e eurove. Një ofertë të tillë vështirë t’i thuash jo.

Exit mobile version