Xherdan Shaqiri thotë se dëshiron të kontribuojë në finalen e së shtunës së Ligës së Kampionëve për Jurgen Kloppin, të cilin e kishte mposhtur me Bayernin kur gjermani ishte trajner i Dortmundit në vitin 2013.
Anësori i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, beson se Liverpooli e meriton të shpallet kampion i Evropës të shtunën, kur “Reds” do të përballen me Tottenhamin në finale të Ligës së Kampionëve, në “Wanda Metropolitano”.
Liverpooli ka qenë në formë mjaft mbresëlënëse këtë sezon, mirëpo përkundër kësaj, ata mund ta mbyllin sezonin pa asnjë trofe nëse pësojnë disfatë kundër Tottenhamit nesër në Madrid.
Skuadra e Jurgen Kloppit i grumbulloi plot 97 pikë në Premierligë, por mbeti prapa Manchester Cityt, që u shpall kampion i Anglisë me vetëm një pikë më shumë sesa rivali.
Por, pas përmbysjes së rezultatit në ndeshjen tronditëse kundër Barcelonës në gjysmëfinale, Shaqiri thotë se fitorja do ta sjelltë një triumf shumë të veçantë në “Anfield”.
“Mendoj se ne e kemi pasur një sezon të mrekullueshëm dhe e kemi një finale të madhe para vetes. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë titulli sepse klubi e meriton, tifozët e meritojnë dhe lojtarët e meritojnë”, ka thënë Shaqiri.
“Do të jetë një gjë shumë e veçantë nëse ne e fitojmë. Tottenhami është klub i nivelit të lartë. Ata i kanë treguar botës se sa të mira janë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne kemi besim. Janë vetëm 90 minuta dhe gjithçka mund të ndodhë”.
“Ne jemi të përgatitur shumë mirë dhe do të tentojmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”.
27-vjeçari veçse e ka një medalje të artë të Ligës së Kampionëve, nga triumfi me Bayernin në vitin 2013, por ai insiston se këtë herë do të jetë më ndryshe.
Kur u pyet nëse kjo është ndeshja më e madhe e karrierës së tij, ai tha: “Është e vështirë të them kështu, është njëra ndër ndeshjet më të mëdha sepse është një ndeshje e veçantë”.
“Dua ta përjetoj atë emocion sërish, veçanërisht me këtë klub tani sepse kanë qenë duke e pritur këtë sukses për një kohë të gjatë”.
Jurgen Kloppi shpreson se do të mund t’i japë fund mallkimit të tij për finalet e Ligës së Kampionëve dhe të triumfojë këtë herë me Liverpoolin.
Strategu gjerman ka dalur i dyti më i mirë dy herë në finale të kësaj gare prestigjioze evropiane, me Dortmundin kundër Bayernit të Shaqirit në vitin 2013 dhe me Liverpoolin kundër Real Madridit vitin e kaluar.
“Ai është gjithmonë i çlodhur. Ne gjithmonë argëtohemi gjatë dhe pas stërvitjeve. Ai është një person pozitiv, bën gjithçka për ne dhe në japim gjithçka për të. Duam të fitojmë për të”, përfundoi Shaqiri.