Shaqiri: Qëndroj tek Zvicra, nuk e kam menduar largimin

Pas Granit Xhakës edhe Xherdan Shaqiri i mbyll derën Kosovës, duke deklaruar publikisht besnikërinë për kombëtaren e Zvicrës. Në një intervistë dhënë për mediat zvicerane gjatë një turi promocional në Zyrih, sulmuesi i Stoke City nuk bën lojëra fjalësh, duke mbajtur një qëndrim të qartë për këtë çështje. “Jam shumë i lumtur që Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA, gjithsesi unë luaj me zemër për Zvicrën dhe jap gjithçka për këtë skuadër prandaj në këtë mes nuk ka asgjë për të diskutuar”, thekson Shaqiri.
Në vijim, ai shton se askush nga Federata zvicerane nuk ka diskutuar me të për këtë çështje, duke shprehur habinë për qëndrimin kundër të Zvicrës në debatet për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Gjithsesi, Shaqiri ndihet disi i zhgënjyer nga vendimi i trajnerit Vladimir Petkoviç për të mos i dhënë shiritin e kapitenit. “Të gjithë dëshirojnë të jenë kapitenë dhe jam disi i zhgënjyer. Trajneri më bëri me dije privatisht vendimin e tij. Në të tilla raste nuk ka vendime që bazohen në arsye të sakta sepse hierarkia dhe vjetërsia nuk janë përherë të rëndësishme”. Shaqiri është lojtari në aktivitet me më shumë gola të shënuar me Zvicrën me 51 ndeshje zyrtare dhe 17 rrjeta personale.

Exit mobile version