Gjenerali amerikan, Robert P. Ashley, ka thënë se agjencitë amerikane të Inteligjencës besojnë se Rusia mund të jetë duke kryer testime bërthamore të nivelit të ulët, të cilat mund të jenë në kundërshtim me një traktat ndërkombëtar.
Ashley ka thënë në një fjalim të mbajtur më 29 maj se, Rusia mund të jetë duke bërë këto testime “jashtë asaj që konsiderohet e domosdoshme”.
Sipas tij, problem përbën fakti që Rusia nuk ka treguar gatishmëri për të garantuar se është duke zbatuar Traktatin e vitit 1996 që ndalon Testimet Bërthamore.
I pyetur nëse agjencitë amerikane kanë vërtetuar se Rusia është duke kryer këto testime në kundërshtim me traktatin, Ashley ka thënë: Ata nuk kanë përmendur nivelin zero të testimeve”.
“Ne besojmë se ata kanë aftësi për ta bërë këtë”, ka thënë Ashley gjatë një fjalimi në Institutin Hudson në Uashington.
Traktati Gjithpërfshirës për Ndalimin e Testimeve Bërthamore ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, si ushtarake, ashtu edhe ato civile, pavarësisht situatës.
Ky traktat është nënshkruar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët rusë ende nuk kanë komentuar këtë pretendim, për të cilin është raportuar fillimisht në Wall Street Journal.
Ky lajm vjen në kohën kur janë në rrezik disa marrëveshje për kontrollin e armëve, që janë nënshkruar nga këto dy shtete.
Më herët gjatë vitit, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar se do të tërhiqet nga Traktati i vitit 1987 për Kontrollin e Armëve, i cili parasheh eliminimin e një vargu raketash.