Zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk do të bëjnë lëshime ndaj Koresë së Veriut dhe se do të vazhdojnë presionin ndaj regjimit të Phenianit. Komentet bëhen në prag të një takimi të planifikuar mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
“Mos kini asnjë dyshim, ndërsa negociatat zhvillohen, nuk do të ketë lëshime”, tha drejtori i CIA-s, Mike Pompeo për kanalin “Fox News”. Zoti Pompeo theksoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut duhet të “vazhdojë të na lejojë të bëjmë stërvitjet e nevojshme ushtarake” me Korenë e Jugut “dhe të diskutojë mbi çnuklearizimin” e ushtrisë së tij. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah, i tha kanalit “ABC News”, se “Presidenti nuk i ka miratuar politikat e dështuara të dekadave të fundit, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë bërë lëshime që në fillim të negociatave. Politika jonë bazohet në presion nga partnerët tanë dhe aleatët në mbarë botën, presion nga Kombet e Bashkuara, presioni përmes Kinës”.
Ai shtoi se “ky presion ka ndikuar në sjelljet e Kim Jong Un-it dhe në mënyrën se si ai vepron. Kështu që ne shpresojmë se kjo fushatë e vazhdueshme e presionit nga partnerët dhe aleatët tanë në mbarë botën, do të ndryshojë sjelljen e Koresë së Veriut”. Zoti Shah tha Presidenti Trump “trashëgoi një politikë që nuk po funksiononte në tetë vitet e mëparshme” gjatë administratës së ish-presidentit Barak Obama. Ai tha se, përkundrazi, Presidenti Trump ka “miratuar një politikë të presionit maksimal ndaj regjimit të Koresë së Veriut. Ne kemi parë se si Kina ka zvogëluar ndjeshëm tregtinë me Korenë e Veriut” dhe Kombet e Bashkuara kanë miratuar “sanksione më të ashpra” kundër Phenianit. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha për kanalin “NBC News”, se “nuk ka dyshim se këto sanksione po funksionojnë dhe i sollën ata në tryezën e bisedimeve”.