SHBA dhe Meksika mohojnë njoftimet për dërgim trupash

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika i mohuan njoftimet se presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ai ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në Meksikë.
“Associated Press” dhe një gazetar meksikan në Uashington kanë raportuar se zoti Trump i ka thënë presidentit meksikan, Enrique Pena Nieto gjatë një telefonate javën e kaluar se ai do të dërgonte forca amerikane për të luftuar elementët e krimit dhe drogës nëse Meksika nuk do të merrte më shumë masa për t’i kontrolluar ata.
Raportimi i “Associated Press” është bazuar në një transkript të pjesshëm të bisedës mes zotit Trump dhe zotit Nieto që i është dhënë me kusht anonimiteti nga një person, i cili kishte qasje në transkriptin zyrtar. “Associated Press” vuri në dukje se nuk ishte e mundur të përcaktohej toni i komenteve të presidentit Trump.
Gazeta “The Neë York Times” tha se një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë gazetës të mërkurën mbrëma se komentet e presidentit Trump ishin gjest i mirë dhe përfaqësonin një ofertë për të ndihmuar Meksikën në luftën kundër bandave të drogës dhe në kontrollimin e kufirit.
Zëdhënësi i Zyrës së Presidentit të Meksikës, Eduardo Sanchez tha se njoftimet se Trump ka sugjeruar dërgimin e trupave amerikane në Meksikë janë “absolutisht të pavërteta”. Zëdhënësi Sanchez tha se Trump dhe Pena Nieto kanë pranuar dallimet e tyre mbi tema të ndryshme, por kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë dialogun për të arritur marrëveshje në mes të dy vendeve.
Një nga veprimet e para të presidentit Trump pas marrjes së mandatit, ishte nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ai premtoi gjatë fushatës zgjedhore ndërtimin e murit për të cilin do të paguante Meksika.
Presidenti meksikan Pena Nieto e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të paguante për murin dhe ai anuloi një vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara pasi presidenti Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit. Biseda e tyre në telefon kishte për qëllim të riparonte marrëdhëniet mes tyre.

Exit mobile version