Vendet e Ballkanit kanë treguar një angazhim të fortë për luftimin e terrorizmit në vitin 2015 – por kapacitetet e varfëra administrative, korrupsioni dhe koordinimi joefektiv kanë qenë pengesë, vuri në dukje Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e terrorizmit për vitin 2015, publikuar të enjten.
Dokumenti, i cili raportoi një rënie 13 për qind në numrin e sulmeve terroriste në nivel global, mbulon gjashtë vendet e Ballkanit – Shqipërinë, Bosnjën, Bullgarinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Serbinë.
Donacionet e armëve për forcat kurde në Irakun verior nga ana e Shqipërisë janë vërejtur si një shenjë e mbështetjes së saj të fortë për luftën kundër Shtetit Islamik, ISIS.
Raporti vlerësoi përpjekjet ligjore të Shqipërisë për të adresuar problemin e shqiptarëve që udhëtojnë për të luftuar në Siri, si dhe miratimin e një strategjie kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
Në të njëjtën kohë, Departamenti Amerikan i Shtetit vuri në dukje mungesën e kapacitetit të Shqipërisë për të mbledhur të dhëna biometrike. Korrupsioni, i kombinuar me një sistem gjyqësor që funksionon keq, ka vazhduar të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit në Shqipëri në të gjitha nivelet, vuri në dukje raporti.
Duke iu referuar Bosnjës, numri i konsiderueshëm i boshnjakëve që kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me grupet terroriste është cilësuar si një problem. Megjithatë, në vitin 2015, Bosnja krijoi Strategjinë e parë të plotë të Rajonit Ballkanik për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit. Sipas raportit amerikan, shumica e problemeve të koordinimit dhe bashkëpunimit të Bosnjës janë shkaktuar nga mbivendosja e juridiksioneve të zbatimit të ligjit.
“Problemet janë gjithashtu rezultat i rivaliteteve personale, politike dhe institucionale që ekzistojnë ndërmjet agjencive më të madhe të policisë dhe prokurorisë e gjykatave në vend. Shumë prej këtyre rivaliteteve janë të rrënjosura thellë dhe të vështira për t’u kapërcyer”, thoshte raporti.
Bullgaria mori një vlerësim pozitiv për shtimin e ekstradimit të luftëtarëve të dyshuar si terroristë të huaj, si dhe për rritjen e parandalimit dhe për zbatimin e masave për terrorizmin. Por kapaciteti i Gjykatës së Specializuar për krimin e organizuar dhe aftësia e zyrës së prokurorëve për t’u marrë me rastet e terrorizmit shihen si një sfidë.
“Ndryshimet e njëpasnjëshme strukturore dhe riorganizimi i njësive kryesore të policisë, si dhe ndryshimi i personelit dhe vendosja e rregullave të reja, ka ngadalësuar studimin e dosjes së përbashkët dhe ka dëmtuar moralin e zbatimit të ligjit”, vë në dukje raporti amerikan.
Përpjekjet e Kosovës për të ndjekur penalisht të dyshuarit për terrorizëm në vitin 2014 dhe 2015 janë theksuar si shenjë e vullnetit politik për të adresuar kërcënimet lidhur me terrorizmin. Megjithatë, institucionet e Kosovës – përfshirë hetuesinë dhe ndjekjen penale – kanë kapacitet, burime dhe përvojë të kufizuar për të trajtuar rastet e terrorizmit në mënyrë efektive, thotë raporti.
Akuzimi i 37 personave dhe arrestimi i 13 të tjerëve nga ana e Maqedonisë në bazë të ligjit të fundit të miratuar për luftëtarët e huaj terroristë, konsiderohet si një “përpjekje e madhe kundër terrorizmit”.
Vendi është quajtur “një partner entuziast si në shkallë rajonale dhe ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit”, edhe pse mungesa e vullnetit të Greqisë për të njohur emrin e Maqedonisë kufizon aftësinë e Maqedonisë për të marrë pjesë plotësisht në forume multilaterale.
Serbia është kritikuar për mungesë të një strategjie kombëtare kundër terrorizmit, të infrastrukturës dhe programeve shtetërore të sponsorizuar luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në kushtet e sigurisë rajonale, bashkëpunimi i Serbisë me Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë shihet si i fortë, por partneritet me Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën mbeten më pak të zhvilluara.
“Për shkak të çështjes së ndjeshme të Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, bashkëpunimi në sigurinë kufitare është më pak i zhvilluar mes Serbisë dhe Kosovës”, thotë raporti amerikan.