SHBA, Esper emërohet zyrtarisht sekretar i mbrojtjes

Mark Esper u emërua zyrtarisht të hënën në pozitën e sekretarit amerikan të mbrojtjes nga Shtëpia e Bardhë, rol të cilin ai e ka kryer që nga muaji i kaluar, por si i deleguar në këtë detyrë.

Që kur Jim Mattis dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 2018, SHBA nuk kanë sekretar të mbrojtjes të konfirmuar dhe kjo shënon periudhën më të gjatë në historinë e Pentagonit.
Emërimi i zotit Esper të hënën u bë shkak për një seri ndryshimesh të përkohshme, por të komplikuara në udhëheqjen e Pentagonit.

Në një deklaratë, Pentagoni tha se, në bazë të ligjit, kur zoti Esper u propozua të hënën, ai pushoi së funksionuari si sekretar i mbrojtjes dhe u rikthye në detyrën e mëparshme, që ishte Sekretari i Këmbësorisë.

Deri në konfirmimin e zotit Esper nga Senati, Sekretari i Marinës Richard Spenser do të shërbejë si sekretar i mbrojtjes në detyrë.

Në një deklaratë, zoti Spenser tha: Partnerët dhe aleatët tanë mund të jenë të sigurtë se Departamenti i Mbrojtjes mbetet i gatshëm për t’u përgjigjur në përmbushjen e angazhimeve tona kudo në botë, në mbështetje të synimeve tona të përbashkëta.

Exit mobile version