Një studiuese e Universitetit të Prishtinës, ka shtatë muaj që bën një hulumtim me shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Hulumtimi, që është në përfundim e sipër, bëhet për të parë se sa janë integruar ata në shoqërinë amerikane dhe sa kanë arritur t’i realizojnë qëllimet e tyre. Profesorja Mimoza Dushi, eksperte në lëvizjet e popullatës, gjatë intervistës me kolegun Artan Haraqija thotë se të dhënat e mbledhura prej saj tregojnë për një komunitet që ka shfrytëzuar shumë mirë sidomos mundësitë për arsimim.
Ajo thotë se ata janë integruar më mirë në shoqërinë amerikane se sa shqiptarët që kanë emigruar në Evropë. Profesorja Dushi, para disa vitesh, ka kryer një hulumtim të ngjashëm në Gjermani dhe Zvicër ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë në Evropë.
Zëri i Amerikës: Ju po qëndroni në Shtetet e Bashkuara për të kryer një hulumtim mbi migracionin e shqiptarëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara. Mund të na flisni pak për të?
Dr. Mimoza Dushi: Unë kam ardhur me bursën Fullbright dhe jam në Universitetin George Washington, aty ku realizoj hulumtimin. Kam zhvilluar intervista me një numër të konsiderueshëm emigrantësh në vende të ndryshme të Amerikës. Qëllimi i hulumtimit është për të parë se sa ndihet i integruar komuniteti shqiptar i Kosovës këtu, sa i kanë arritur qëllimet për të cilat ka ardhur dhe cilat janë përfitimet nga qëndrimi në Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu për të parë se cilat janë nevojat që ka diaspora shqiptare që të njoftoj qeverinë dhe ligjvënësit në lidhje me to. Kam realizuar më herët një hulumtim të ngjashëm, ka qenë një projekt tjetër me shqiptarët në Evropë. Projekti ka qenë i përqëndruar në Zvicër dhe Gjermani, si dy vende ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve.
Projekti i parë që është realizuar në Evropë ka përfshirë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Projekti në Amerikë ka të bëjë vetëm me shqiptarët e Kosovës, është bursë që jepet nga Ambasada Amerikane në Kosovë prandaj është i përqëndruar vetëm tek shqiptarët e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Cilat janë gjetjet kryesore, nga puna që keni kryer deri më tani në Shtetet e Bashkuara?
Dr. Mimoza Dushi: Anëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë janë të arsimuar. Ata kanë shfrytëzuar mundësitë e shkollimit dhe avancimit në profesionin e tyre. Në aspektin ekonomik, nga popullsia vendase konsiderohen punëtorë. Ata janë të aftë në profesionet e tyre e kanë pozita të mira në ato profesione. Janë njerëz të besueshëm për bashkëpunime. Mirëpo, në aspektin shoqëror edhe pse ndihen të pranuar nga komuniteti vendas, ai amerikan, gjithësesi vazhdojnë të jenë të lidhur me komunitetin shqiptar.
Zëri i Amerikës: A është kjo e ngjashme edhe me gjetjet e dala nga hulumtimi që keni bërë me shqiptarët në Evropë?
Dr. Mimoza Dushi: Ata që jetojnë këtu (SHBA), janë më shumë të integruar, sesa ata që jetojnë në Evropë. Ndoshta është afërsia më e madhe me Kosovën që ndikon ose arsyet për të cilat ata kanë emigruar. Ata që kanë emigruar në Evropë e kanë bërë me qëllimin që të qëndrojnë aty përkohësisht dhe në momentin që Kosova, do të fitonte pavarësinë, të ktheheshin. Por me kalimin e kohës ata kanë vendosur të shndërrohen në emigrantë të përhershëm, ndërsa në Amerikë, që në fillim kanë ardhur me synimin për të qëndruar gjatë.
Zëri i Amerikës: Para se të flasim mbi detajet, ju thatë se keni kryer intervista me shqiptarët e Kosovës që jetojnë në disa shtete amerikane. Mund të thoni se për cilat shtete bëhet fjalë?
Dr. Mimoza Dushi: Intervistat i kam kryer në dy forma. Në formën ballë për ballë dhe përmes internetit. Ato ballë për ballë i kam realizuar në tri shtete, në kryeqytet, në Uashington, në Nju Jork dhe në Çikago, ku ka më shumë shqiptarë. Intervistat përmes internetit i kam bërë me shqiptarë në Karolinën e Veriut, në Viskonsin, Arkansa, Dallas, Teksas, Nju Xhersi, në Virxhinia e në shtete të tjera.
Zëri i Amerikës: Keni vërejtur dallime mes shqiptarëve që jetojnë në zona të ndryshme të Amerikës, për shembull mes të atyre që jetojnë në Çikago dhe atyre që ta jetojnë për shembull në Teksas?
Dr. Mimoza Dushi: Nga bisedat konsideroj që shqiptarët që jetojnë në Çikago janë shumë më të lidhur me komunitetin. Në Nju Jork për shembull numri i shqiptarëve është më i madh dhe kjo ka bërë që ata të kenë disa forma të lidhjes mes tyre.
Zëri i Amerikës: Hulumtimin tuaj e keni ndarë në tri pjesë, mund të na flisni pak për këtë?
Dr. Mimoza Dushi: Jam përqëndruar tek nevojat që ata kanë në raport me vendin e origjinës, Kosovën. Pra ajo që kam bërë është të mbart zërin e migrantëve, në formën e rekomandimeve për ata që bëjnë politikat në Kosovë. I kam dërguar tashmë këto rekomandime, të cilat janë ndarë në tre grupe. Ndarja është bërë sipas rëndësisë që i kanë dhënë vetë ata.
E para që ata kërkojnë është mundësia të ofrojnë përvojën dhe ekspertizën e tyre për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës. Ka rrjete të profesionistëve që komuniteti këtu i ka krijuar vetë. Unë kam hasur në tri rrjete, rrjeti i mjekëve, i sipërmarrësve edhe artistëve. Që këto ekspertiza të shrytëzohen nga shteti prej nga vijnë, qeveritë atje duhet të themelojnë rrjete të profesionistëve vetë, me raste edhe t’i financojnë dhe t’i menaxhojnë. Ambasadat dhe konsulatat luajnë rol të rëndësishëm këtu pasi krijojnë bazën e të dhënave me profesionistët që i kanë të shpërndarë në vendet ku janë. Ato luajnë rolin të dyfishtë, pasi në të njejtën kohë transmetojnë nevojat që ka qeveria e Kosovës te komuniteti dhe nga ana tjetër, për qeverinë gjejnë profesionistë të caktuar. Qeveria e Kosovës tanimë e ka krijuar një program me emirn “Citizen Diplomacy Fellowship” dhe kërkon nga të rinjtë që kanë dy vjet përvojë pune në një shtet tjetër të ndihmojnë me përvojën e tyre në Kosovë. Kjo është kundërshtuar nga emigrantët këtu me arsyetimin se kërkojnë t’u jepet mundësia menjëherë pas diplomimit. Ata thonë se pas dy vitesh pune, krijojnë stabilitet dhe është vështirë të kthehen.
Kërkesa e dytë është mundësia e votimit në ambasada dhe konsulata, duke shkuar fizikisht atje. Ne e dimë që deri tani janë ofruar dy mundësi, dërgimi i fletvotimit me postë, apo duke shkuar në Kosovë. Ata kërkojnë që ambasadat të marrin rolin e mbledhjes së votave. Duke e pasur parasysh se sa e madhe është Amerika, emigrantët kërkojnë ruajtjen e mundësisë për dërgimin e fletvotimit me postë, por jo në Kosovë, por në ambasadë, pra që ambasada të jetë pikë mbledhëse.
E treta janë investimet kapitale, kryesisht në fushën e Teknologjisë Informative.
Zëri i Amerikës: Sa për sqarim, duan që këta të investojnë në Kosovë?
Dr. Mimoza Dushi: Po, që këta të investojnë në Kosovë. Para se t’i bëjnë investimet, ata kërkojnë që të krijohen kushte të favorshme. Ata duan siguri financiare, sigurinë e bizneseve, konkurencën e drejtë në treg dhe kërkojnë informacione të sakta në lidhje me mundësitë e investimeve. Me këtë ata kuptojnë që të krijohen kushtet që investimet e tyre të jenë të sukseshme dhe të njejtën kohë shteti të përmbushë nevojat që i ka në lidhje me investimet ekonomike. Ambasadat dhe konsulatat prap këtu mund të luajnë rol të rëndësishëm duke shpërndarë informatat në lidhje me mundësitë e investimeve te sipërmarrësit e diasporës.
Zëri i Amerikës: Ju thatë që keni vërejtur që shqiptarët e Kosovës në Shtetet e Bashkuara janë kryesisht me arsimim, të larta. Është fjala për personat që kanë ardhur me kualifikime universitare apo që kanë ardhur këtu për atë qëllim?
Dr. Mimoza Dushi: Nga intervistat që kam kryer, 60 % e të intervistuarve kanë dalë me shkollim të lartë nga Kosova. Prej tyre, 46% kanë vazhduar shkollimin edhe në Amerikë. Pra, ata ardhur me qëllim shkollimi ose kanë shfrytëzuar mundësitë për vazhdimin e shkollimit për ngritjen në profesion.
Zëri i Amerikës: Ju pyeta për këtë sepse nëse ata janë ofruar të ndajnë ekspertizën me Kosovën, fjala është për njerëz që kanë arsimim të lartë…?
Dr. Mimoza Dushi: Po, janë individë me arsimi të lartë. Ata kanë pozita shumë të mira në profesionet e tyre. Punojnë në Bankën Botërore, punojnë në qeveri, punojnë në Thesarin e Shtetit, punojnë në çështje juridike, ka shumë mjekë.
Zëri i Amerikës: Cilat janë dallimet kryesore që kanë dalë nga të dyja hulumtimet, ai në Evropë dhe ky në Shtetet e Bashkuara?
Dr. Mimoza Dushi: Afërsia me Kosovën ka krijuar mundësinë që ata në Evropë të kenë kontakte më të afërta me Kosovën. Në Evropë kanë filluar të emigrojnë më herët se këtu. Atje kanë filluar të dalin në fillim të viteve të ’60, ndërsa këtu e kemi fundin e viteve të ’60. Këtu kanë ardhur jo pak për qëllime shkollimi kurse në Evropë për qëllime shkollimi janë shumë të vonshëm. Atje kanë shkuar kryesisht për qëllime pune, e kanë konsideruar vetën që janë të përkohshëm. Prandaj, ndjenja e të përkohshmes i ka penguar që të integrohen dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë
Zëri i Amerikës: Në hulumtimin tuaj ju keni përmendur edhe dallimin tjetër që gjenerata e dytë e emigrantëve shqiptarë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara fillojnë të zëvendësojnë shqipen me anglishten?
Dr. Mimoza Dushi: Në Evropë edhe gjenerata e tretë e flasin gjuhën shqipe, por atje i kanë edukuar edhe fëmijët e tyre me bindjen që një ditë do të kthehen. Ndërsa këtu, (në Amerikë) gjenerata e dytë pak e flet gjuhën shqipe. Më lehtësisht shprehën në gjuhën angleze. Mirëpo, gjenerata e dytë e shqiptarëve të Kosovës në Amerikë, ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit kombëtar e ka shumë të fortë. Është kënaqësi të bisedosh me ta dhe janë shumë aktiv në komunitet me veprimet e tyre.
Zëri i Amerikës: Një pyetje që nuk ka pasur asnjëherë përgjigje është numri i shqiptarëve në përgjithësi apo të paktën i shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë hulumtimit që keni bërë, mund të thoni se e keni një numër?
Dr. Mimoza Dushi: Sa më shumë numra që gjejmë aq më shumë lëmsh bëhemi. Unë kam gjetur shumë burime. Kosova vetë vlerëson që ka përafërsisht 860 mijë qytetarë të saj jashtë vendit, në përgjithësi në të gjithë botën. Prej tyre, 4.9 % janë në Amerikë. Mirëpo, në burimet që i kam gjetur këtu, është një autore me emrin Maria Cuinova e cila në botimin e saj në vitin 2010 thotë se në Amerikë jetojnë 250 mijë shqiptarë të Kosovës. Ajo e përcakton që bëhet fjalë për shqiptarë të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Në bazë të cilit hulumtim ka ardhur ajo deri te kjo shifër?
Dr. Mimoza Dushi: Ajo ka burime të ndryshme, por të gjitha këto janë vlerësime. Në regjistrimin e popullsisë së Amerikës, sipas Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë, në vitin 2020 janë regjistruar mbi 230 mijë shqiptarë të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe prej tyre përafërsisht 4700 janë shqiptarë të Kosovës. Në fakt fjala është për kosovarë. Kjo duhet të jetë një shifër e pas pavarësimit të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Sepse nga atëherë kanë filluar të mbajnë shënime për banorët e Kosovës?
Dr. Mimoza Dushi: Po, sepse ka shumë që kanë ardhur edhe përpara, por janë identifikuar edhe si jugosllavë sepse në pasaportat tona nuk ka shënuar prej cilës Republikë apo cilës Krahinë ke ardhur. Ka edhe raporte të tjera që i kanë bërë shoqatat hulumtuese ose institucionet hulumtuese amerikane, për nevojat e shoqatave shqiptare. Në bazë të këtyre raporteve në Amerikë jetojnë 500 mijë shqiptarë të të gjitha vendeve të Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Pra, në përgjithësi mund të themi se fjala është për një shifër që shkon nga një çerek millioni deri në gjysëm milioni shqiptarë?
Dr. Mimoza Dushi: Po, por mendoj se është një numër paksa i fryrë
Zëri i Amerikës: Besoni se regjistrimi i popullësisë që bëhet tani nga Kosova mund të ndihmojë pasi ju ka ofruar mundësinë e regjistrimit edhe atyre që jetojnë jashtë vendit?
Dr. Mimoza Dushi: Po, është mundësi shumë e mirë për diasporën. Ndoshta është mundësia e fundit për shkak se rregullat e regjistrimit pothuajse çdo herë ndryshojnë. Kjo mundësi është dhënë, mirëpo kam rezerva për rezultatet që do të dalin.
Zëri i Amerikës: Për çfarë arsye keni rezerva?
Dr. Mimoza Dushi: Për arsye se me të njëjtin standard është kërkuar të regjistrohet popullsia brënda dhe jashtë Kosovës. Ai standard është numri i letërnjoftimit. Ne e dimë që ata që jetojnë jashtë jo domosdoshmërisht ta kenë atë numër. Gjatë punës sime në terren kam hasur në shumë shqiptarë që kanë treguar gatishmëri që të regjistrohen, por që nuk kanë mundur ta finalizojnë procesin e regjistrimit përmes internetit për shkak të kësaj kërkese, pra të numrit të ID-së./VOA