Nga Nadia Boffa
Kështu shprehet Asher Kaufman, profesor në Universitetin Notre Dame në Indiana, SHBA, ekspert në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe mbi mosmarrëveshjet kufitare izraelito-libaneze.
Gjatë intervistës për Huffpost, profesori bën një pasqyrë të valës së fundit të shpërthimeve në Liban, të cilat shkaktuan të paktën 37 viktima. Sulmet për të cilat Hezbollahu, Libani dhe Irani bëjnë përgjegjës Izraelin, i cili nuk i ka konfirmuar, mohuar apo komentuar ato.
Profesor Kaufman, cili është objektivi strategjik i Izraelit?
Unë e kam pyetur vazhdoj ta pyes veten për këtë gjë. Dhe mendoj se kjo është e vetmja pyetje vërtet me vlerë në lidhje me këtë operacion. Udhëheqësit izraelitë duhen pyetur:Cila është vlera strategjike e këtyre sulmeve? Dhe çfarë po përpiqet të arrijë Izraeli?
Zakonisht, kur përgatiten dhe kryhen sulme të përmasave të tilla, ka nga pas një vizion strategjik edhe për periudhën e pasluftës, pra për diplomacinë. Ndërkohë unë nuk shoh asnjërën nga këto. Pra nuk ka një strategji të qartë prapa këtyre sulmeve. Ato kanë shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e civilëve, dhe kanë shkaktuar shumë panik brenda Libanit.
Por edhe kaos, ankth dhe zemërim tek popullata libaneze. Për më tepër, shpërthimet e këtyre përmasave, nuk do të ndihmojë në rikthimin në shtëpitë e tyre të banorëve të zhvendosur nga Izraelit Verior, një objektiv që së fundmi është përfshirë edhe në planin e luftës së Izraelit.
Megjithatë sulmi nxori në pah brishtësinë e Hezbollahut…
Konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit nuk ndryshoi pas këtij operacioni. Nëse do të ketë një luftë gjithëpërfshirëse, do të prekeshin seriozisht edhe civilët izraelitë. Për më tepër, thelbi është se Hezbollahu e ka ruajtur kapacitetin e tij parandalues. Në fakt, unë besoj se ai zotëron ende një mekanizëm pengjues të konsiderueshme kundër Izraelit, sepse edhe pa radiomarrëset, Hezbollahu mund të shkaktojë shumë dëme brenda Izraelit.
Do të mjaftonte lëshimi i raketave drejt Izraelit, për të goditur fushat e gazit në Mesdhe, aeroportet izraelite apo ujësjellësat. Pra në rastin e një lufte gjithëpërfshirëse, ai ka ende mundësi që ta dëmtojë shumë Izraelin.
Pas këtyre shpërthimeve, a jemi më afër luftës në Liban?
Sot jemi më pranë se deri dje. Por është e vështirë ta kuptosh saktësisht. E sigurt është se kemi të bëjmë me një sulm të paprecedentë jo vetëm në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut, por në përgjithësi në historinë e çdo lufte. Loja është krejtësisht e re, sepse retorika nga pala izraelite ka ndryshuar dukshëm. Ajo është më e përfshirë në një konflikt në shkallë të gjerë. Për të kuptuar se çfarë do të bëjë Hezbollahu, duhet të presim reagimin e udhëheqësit të saj Hassan Nasrallah.
Si mund të reagojë tani ai?
Kjo është një pyetje, të cilës është e vështirë t’i japësh një përgjigje të saktë. Siç thashë, ky operacion i shërbimeve sekrete izraelite, arriti një nivel intensiteti dhe shtrirje që nuk ishte arritur kurrë më parë. Unë besoj se Nasrallah është ndoshta i detyruar të ndryshojë thelbin e deklaratave të tij.
Ai ka thënë gjithmonë se Hezbollahu nuk do t’i jepte Izraelit justifikimin për të filluar një luftë gjithëpërfshirëse. Por tani kemi hyrë në një fazë, ku po flitet haptazi për një luftë totale. Mbetet të shohim nëse Hezbollahu do të jetë i gatshëm ta nisë atë.
Si është aktualisht atmosfera në Liban?
Libani gjendet në një atmosferë tronditjeje, traume, zemërimi dhe ankthi. Është një vend i shokuar pasi janë goditur civilët, dhe sepse në rastin e një lufte më të madhe, do të përfshihej e gjithë popullata. Nga ana tjetër, pas këtyre shpërthimeve, është shumë e qartë se Libani është në prag të luftës për shkak të vendimit të Hezbollahut, që nga 8 tetori 2023 e në vazhdim, për të kryer sulme të vazhdueshme ndërkufitare kundër Izraelit në shenjë solidariteti me Hamasin.
Hezbollahu është angazhuar të mbështesë Hamasin në Gaza, derisa të arrihet një armëpushim atje. Por në këtë mënyrë, ai e ka zhytur në një situatë të dëshpëruar të gjithë shtetin e Libanit dhe gjithë shoqërinë libaneze. Tani edhe shoqëria libaneze është e përfshirë në luftën ndaj Izraelit. Dhe ky një zhvillim shumë shqetësues.
A ekziston edhe rreziku i shpërthimit të luftës civile?
Problemi është se Libani ndodhet në një situatë shumë të rëndë, dhe shoqëria libaneze nuk është në gjendje të përfshihet apo të përballet me një luftë civile. Ndaj Hezbollahut ka
një zhgënjim shumë të madh nga segmente të ndryshme të shoqërisë libaneze. Por që të shpërthejë një luftë civile, duhet të shohim një grup të armatosur të mobilizuar, pra një milici që të përleshet me Hezbollahun.
Dhe aktualisht nuk ka asnjë grupim të armatosur, që mund ta sfidojë ushtarakisht Hezbollahun, i cili është një grupim militant, por edhe një parti politike shumë e fuqishme. Zhgënjimi që ndiejnë në këtë moment shumë libanezë nuk mund të përkthehet – të paktën tani për tani – në një përleshje të armatosur kundër Hezbollahut.
A janë shpërthimet në Liban, një dëshmi se ka dështuar diplomacia amerikane?
Operacionet e fundit të Izraelit, nxjerrin shumë qartë në pah faktin që diplomacia amerikane e të dërguarit Amos Hochstein në veri të vendit, në kufi me Libanin, nuk ka qenë në gjendje ta qetësojë situatën. Pra nga ky këndvështrim, ajo ka dështuar. Por po dështon edhe misioni i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.
Blinken ndodhet aktualisht në Egjipt, në një përpjekje për të mbajtur gjallë negociatat për arritjen e armëpushimit në Gaza. Në kohën kur ai po përpiqej ta mbante gjallë negociatat, Izraeli ndërmori sulmin përmes shpërthimit të radiomarrëseve në Liban, duke sabotuar të gjitha përpjekjet e Blinken. Është e qartë se SHBA-ja nuk ka më kontroll mbi veprimet e Izraelit./ Marrë nga “Huffington Post Italia”