Presidenti amerikan, Donald Trump po interviston katër kandidatë për postin e këshilltarit të sigurisë, pas një jave të trazuar gjatë së cilës ai shkarkoi një ish-udhëheqës ushtarak nga ai pozicion strategjik në Shtëpinë e Bardhë dhe pasi personi i parë, të cilit i ofroi postin, nuk e pranoi atë.
Zoti Trump është në rezidencën e tij luksoze në Mar-a-Lago në buzë të oqeanit në Florida. Ai ka në plan të flasë në telefon ose personalisht për postin strategjik të Shtëpisë së Bardhë me këshilltarin në detyrë për sigurinë kombëtare, Keith Kellogg, një gjeneral në pension; John Boltonin, ish-ambasador amerikan në OKB; gjeneralin e ushtrisë H.R. McMaster; dhe kryeadministratorin e Akademisë ushtarake amerikane në West Point, gjeneral Robert Caslen.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se mund të ketë edhe bisedime me persona të tjerë për postin, që mbeti i zbrazët kur Michael Flynn u shkarkua pasi kishte keqinformuar nënpresidentin lidhur me bisedat që kishte pasur me ambasadorin rus në Uashington, para se administrata e re të merrte detyrën.
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta tha për televizionin “NBC” dje se kaosi në lidhje me këtë post i ka bërë operacionet për sigurinë kombëtare “jofunksionale”.
Presidenti Trump kishte dje gjithashtu në plan të bënte biseda telefonike me udhëheqës të huaj dhe të mbante një takim për politikën e kujdesit shëndetësor.