SHBA kërkon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Senatori amerikan, Ben Cardin i tha “Zërit të Amerikës” se një anëtarësim i mundshëm i Malit të Zi në NATO ka mbështetjen si të demokratëve ashtu edhe të republikanëve në Kongres. Në një intervistë dhënë korrespondentes Milena Djurdji të shërbimit në gjuhën serbe ai tha se, Mali i Zi ka bërë atë që pritej, duke zhvilluar institucionet demokratike dhe profesionalizuar ushtrinë.
“Ne e dëshirojmë zgjerimin e NATO-s në 29 anëtarë. Ka shumë mundësi që ta marrim informacionin në kohën e duhur dhe ta shqyrtojmë anëtarësimin e mundshëm të saj këtë vit. E di se procesi i ratifikimit kërkon kohë të gjatë, sepse duhet bërë nga të 28 anëtarët, por ne kemi shpresë se mund të bëhet përparim qysh këtë vit”, tha senatori Cardin.
I pyetur për pasojat që mund të ketë largimi i Britanisë nga BE në kontekstin e NATO-s, senatori Cardin tha se partneriteti transatlantik i Shteteve të Bashkuara me BE-në dhe NATO-n është i fortë. Ai tha se Britania është aleate e madhe e SHBA dhe do të vazhdojë të jetë e tillë.
I pyetur nëse Brexit ka krijuar hapësirë për Rusinë që të shtojë trysninë në Ballkan dhe në vende të tjera, zoti Cardin tha: “Mendoj se Brexit është një realitet dhe ne merremi me realitetin. Nevojat janë gjithmonë po ato në Europë. Kemi sfida përsa i përket Rusisë, kemi sfida në jug me terrorizmin. Ne duhet të tregohemi më të mençur në përgjigjen ndaj këtyre dy kërcënimeve. Ne do të përballemi me këto përmes NATO-s dhe përmes partnerëve tanë. Kam besim se do të shohim një Aleancë të fortë dhe të bashkuar”.
Duke folur për trysninë që Rusia ushtron ndaj Serbisë, senatori Cardin tha: “Serbia ka bërë hapa shumë pozitive. Ne e mbështesim shumë angazhimin e udhëheqjes së tyre për shumë nga çështjet e sigurisë në rajon. Partneriteti i tyre për paqe me NATO-n ka qenë shumë pozitiv. Ne duam që populli serb të bëjë atë që mendon se është më e mirë përsa i përket aleancave. Nëse janë të interesuar të lëvizin drejt NATO-s, ky duhet të jetë vendim i tyre. Sidoqoftë, ne jemi të interesuar për një bashkëpunim të ngushtë me ta për çështjet e sigurisë”.

Exit mobile version