Qeveria e Shteteve të Bashkuara është shprehur “thellësisht e shqetësuar” për vendimin e Moskës për bllokimin e faqes profesionale në internet, LinkedIn, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane në Moskë, Maria Olson, i tha dje agjencisë “TASS” se ky vendim “paraqet precedent shqetësues, që mund të përdoret për arsyetim të mbylljes së çdo uebsajti që përmban të dhëna të përdoruesve rusë”.
Zëdhënësja Olson tha se legjslacioni rus i vitit 2014, që kërkon që faqet në internet t’i ruajnë të dhënat personale të shtetasve rusë në serverët në këtë vend, është “antikompetitiv dhe kundërproduktiv”.
Faqja LinkedIn nëpërmjet një kumtese ka theksuar se aktivitetet e saj janë “në harmoni të plotë” me legjislacionin rus dhe ka shtuar se përdoruesit rusë të kësaj faqeje mund të kenë kompensim të plotë në çdo kohë.
LinkedIn është themeluar në vitin 2004 dhe i ka më tepër se 400 milionë shfrytëzues. Ajo është blerë nga gjiganti kompjuterik Microsoft në qershor të këtij viti, për 26.2 miliardë dollarë.
Rregullatori rus për telekomunikacion, Roskomnadzor, dje i ka urdhëruar provajderët e internetit që ta bllokojnë faqen LindekIn, pasi një gjykatë në Moskë ka konstatuar se kjo kompani nuk është në harmoni me ligjin e Rusisë për ruajtjen e të dhënave personale.