Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë mirëpritur vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara që miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, e cila tani duhet të miratohet nga Senati para se presidenti amerikan, Joe Biden, ta nënshkruajë që të hyjë në fuqi.
Furnizimet për Ukrainën do të përfshijnë municione dhe mbrojtje ajrore dhe janë pjesë e një pakete në vlerë prej 95 miliardë dollarësh që përfshin ndihmën për Izraelin dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, sikurse Tajvani, i cili përballet me kërcënime potenciale nga Kina.
Votimi i 20 prillit u arrit me mbështetjen e demokratëve dhe republikanëve të moderuar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi i SHBA-së “do të shpëtojë mijëra e mijëra jetë”.
“Ne shpresojmë që projektligji do të mbështetet në Senat dhe do t’i dërgohet presidentit Biden.
Faleminderit Amerikë. Demokracia dhe liria gjithmonë do të ketë rëndësi botërore dhe kurrë nuk do të dështojë për aq kohë sa Amerika ndihmon në mbrojtjen e tyre”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Kremlini u përgjigj duke thënë se lëvizja e SHBA-së do të kushtojë me më shumë jetë të ukrainasve “për shkak të regjimit të Kievit”. Ai sugjeroi se mbështetja amerikane ka për synim të “pasurojë” SHBA-në dhe të “rrënojë edhe më tej” Ukrainën, shtet që veçse ishte duke luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, para se Rusia të niste pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Projektligji – gjashtë muaj pasi u prezantua – kaloi me 311 vota për dhe 112 kundër, me 101 republikanë që votuan për dhe 112 kundër.
Kritikët thanë se vonesat në miratimin e kësaj ndihme, lejuan Rusinë që të marrë momentumin në luftime.
Senati pritet të miratojë pakon e ndihmës më 23 prill, para se të nënshkruhet nga Bideni, në mënyrë që Pentagoni të nisë dërgesat e ndihmës me shpejtësi.
Biden tha se paketa do të “dërgojë ndihmë thelbësore për Izraelin dhe Ukrainën, do të ofrojë ndihmën e nevojshme humanitare për Gazën, Sudanin, Haitin dhe lokacione të tjera dhe do të rrisë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Indo-Paqësor”.
Kryeministri polak, Donald Tusk, duke komentuar vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve tha se “më mirë vonë se kurrë”, duke shtuar se “shpresoj që nuk është shumë vonë për Ukrainën”.
Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se vota amerikane “i dërgon mesazh të qartë Kremlinit: Ata që besojnë në liri dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe popullin e saj”.
Muajve të fundit, Kievi është përballur me presion të madh rus në fushëbetejë, pasi forcat ukrainase po përballen me mungesë të furnizimeve të artilerisë dhe mbrojtjes ajrore./REL