Ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi dje se kishte kërkuar prej 7 muajsh arrestimin e Eskobarit të Ballkanit, Klement Balili, por askush nuk e ka arrestuar. Kjo për ambasadorin nënkupton dështimin më të madh të policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Ndërsa Drejtësisë i gjendet solucioni me Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut, pyetja që shtrohet është se çfarë do të bëjmë me ministrin e policisë? Ndërsa konstatohet se ky ministër nuk mund të arrestojë një baron droge për shkak të lidhjeve të tij me krimin, atëherë çfarë mund të shpresohet tek ky ministër? Ka shumë pyetje të tjera që ngrihen edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Tahiri është zhdukur, por a do të mund të mbështetet ai prej tyre në javët dhe muajt në vijim?
Reagimi i ambasadorit
Shqipëria do të ishte vend më i mirë nëse politikanët nga e majta dhe nga e djathta nuk do t’i shërbenin interesave të fuqishme të biznesit të korruptuar, trafikantëve dhe kriminelëve të mëdhenj. Ndryshe, si mund ta shpjegojmë faktin se Klement Balili është ende i lirë? Sipas medias, ai ka shmangur 200 policisë gjatë një ndjekjeje. Sipas të vëllait, ai lëviz lirisht në rrugët e Tiranës.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk kishte urdhëruar, arrestimin e tij deri të premten e kaluar. Mosarrestimi i ish-zyrtarit të Sarandës, Klement Balili është dështim i madh i policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Klement Balili, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë. Kanë kaluar 7 muaj që kur policia në Greqi arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin. Që prej 7 muajsh, policia greke e ka shpallur në kërkim Balilin. Kanë kaluar 7 muaj, që kur Ministria e Drejtësisë shqiptare dërgoi persona në Greqi për këtë çështje. Tani kanë 10 mijë faqe dokumente. I kam kërkuar prej 7 muajsh zyrës së prokurorit ta arrestojnë.
Kam nxitur prej 7 muajsh ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë dhe Kryeprokurorin që ta arrestojnë Balilin.
Nëse Shqipëria nuk mund ta kapë Balilin dhe peshqit e tjerë të mëdhenj, kush do të donte të punonte me Shqipërinë? Kush do të besonte se është një vend serioz? Kush do ta besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?
Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojë Balilin. Për shtatë muaj kam nxitur policinë, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.
Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi ynë i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i peshqve të mëdhenj nga ana e Shqipërisë, përfshirë edhe Klement Balilin”.
Ku shkuan 7.7 milionë eurot amerikane për drogën
Më 23 korrik të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara konstatuan si shqetësim në rritje trafikun e drogës dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Vendimi ishte që Departamenti i Shtetit dhe agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit të instaloheshin edhe zyrtarisht në Shqipëri për të qenë pjesë e luftës ndaj krimit dhe trafikut të drogës.
Po këtë ditë, Parlamenti miratoi paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, e cila parashikonte një fond prej mbi 7.7 milionë dollarësh.
Risia e kësaj marrëveshjeje të miratuar nga Parlamenti kishte të bënte me aktorët që do ta zbatonin atë. Sipas atij vendimi marrëveshja do të zbatohej nga Byroja e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin amerikan të Shtetit.
Diplomatë amerikanë thanë në atë kohë se kjo marrëveshje konsiderohej mjaft e rëndësishme dhe madje mund të çonte deri në kufizim të mbështetjes amerikane në rast të dështimit të qeverisë në luftën ndaj trafikut të drogës. Marrëveshja ishte një tregues i qartë i vullnetit të Shteteve të Bashkuara për të asistuar dhe ndërhyrë ligjërisht në luftën kundër trafikut të drogës.
Një vit pas kësaj marrëveshjeje të miratuar në Parlament, realiteti në Shqipëri është më shumë se i trishtë. Qeveria e ka injoruar tërësisht atë marrëveshje dhe vendi sot është i mbuluar me drogë nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim.
Qeveria dhe faktorët e tjerë, si përshembull ata ligjvënës, duhen të japin një përgjigje sot për atë Marrëveshje të miratuar në Parlament një vit më parë për paketën amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike. Rama dhe askush tjetër nuk mund të tallet me ato 7.7 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë dhe nuk mund t’i konsiderojë ato si tenderat e Sadriut apo koncesionet e Vilmës.
Ato janë para të taksapaguesve amerikanë të dhëna jo për qoka politike, por për një qëllim prioritar të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri sikurse është lufta ndaj krimit dhe trafikut të drogës. “Shqipëria vijon të mbetet një vendburim për marijuanën në tregjet evropiane, si dhe shërben si rrugë tranziti për trafikun e kokainës dhe heroinës”, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Arben SHAHINI