Presidenti amerikan Donald Trump e vuri në jetë njoftimin e javës së kaluar. SHBA njeh zyrtarisht Lartësitë Golan si territore izraelite. Kritikat erdhën menjëherë- nga Siria, Rusia, Turqia dhe OKB.
Gjatë një vizite të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një proklamatë, që i njeh Izraelit sovranitetin mbi Lartësitë Golan. Trump foli për një hap historik dhe e argumentoi atë me mbrojtjen e Izraelit nga sulmet armiqësore, që vijnë nga Lartësië Golan. Netanjahu foli për një hap historik. “Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë se Ju,” tha ai duke iu drejtuar presidentit Trump.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, tha qartë se statusi i Lartësive Golan nuk ka ndryshuar. Këtë e deklaroi një zëdhënës i OKB. Në një deklaratë Ministria e Jashtme siriane e quajti vendimin e SHBA-së, “sulm të rëndë mbi sovranitetin dhe integritetin territorial” të Sirisë.
Para njoftimit të Trumpit për njohjen zyrtare, minisri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov telefonoi me kolegun e tij amerikan, Mike Pompeo dhe e paralajmëroi për “shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, Lavrov ka thënë se ky vendim pengon zgjidhjen e konfliktit në Siri dhe ashpërson në përgjithësi gjendjen në rajon.
E drejta ndërkombëtare: Lartësitë Golan i përkasin Sirisë
Presidenti amerikan e njoftoi këtë vendim për Lartësitë Golan që javën e kaluar nëpërmjet një mesazhi në twitter, duke shkaktuar sensacion në tapetin ndërkombëtar. Qeveria izraelite e mori njoftimin e entuziazmuar. Kritika pati kryesisht nga pala arabe, Turqia dhe Rusia. Edhe qeveria gjermane theksoi statusin ndërkombëtar të Lartësive Golan, si territore të pushtuara.
Lartësitë Golan kufizohen në veri me Izraelin. Kodrat janë pllajë strategjike e rëndësishme mbi liqenin e Gjenezaretit, të cilin Izraeli e pushtoi më 1967 dhe e aneksoi më 1981. Sipas të drejtës ndërkombëtare, kjo zonë sihet si territor i Sirisë i pushtuar nga Izraeli.
Netanjahu ndërpret vizitën
Fillimisht Netanjahu donte të takohej sërish me Trumpin për një darkë. Por pas goditjes me raketë të një shtëpie në verilindje të Tel Avivit, kryeministri izraelit njoftoi se do e shkurtojë kohën e vizitës në SHBA dhe direkt pas takimit me Trump mori rrugën e kthimit për në Izrael.
Izraeli dhe Hamasi radikal islamik kanë rënë dakord për një armëpushim, bënë ndërkohë të ditur rrethet palestineze. Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Egjipti, tha një përfaqësues i palestinezëve. Ajo ka hyrë në fuqi në orën 22:00, sipas orës lokale. Edhe Hamasi njoftoi për një marrëveshje armëpushimi. Izraeli nuk e komentoi lajmin. Vetëm një orë më vonë, u dëgjuan sirenat e alarmit të mbrojtjes nga ajri në qytetet në jug të Izraelit. Informacione të mëtejshme nuk pati.
Më parë Izraeli pati filluar sulme shpaguese në Rripin e Gazës, pas një rakete që në në rrethinat e Tel Avivit. Në Rripin e Gazës është marrë në shënjestër Hamasi, bëri të ditur ushtria izraelite. Udhëheqja ushtarake izraelite pati bërë përgjegjëse milicinë për sulmin me raketa në veri të Tel Avivit, gjatë të cilit u plagosën të hënën në mëngjes, shtatë persona.
Sulme shpaguese në Rripin e Gazës
Në Rripin e Gazës pati dhjetëra shpërthime. U dëgjuan sirenat e ambulancave të urgjencës. Në valën e parë të sulmeve shpaguese të Izraelit u plagosën pesë palestinezë, bënë të ditur autoritetet e shëndetësisë në Gaza.
Nga rrethet palestineze të sigurië dhe mediat e Hamasit u dëgjua të thuhet, se janë prekur pika të Hamasit në qytetin e Gazës si dhe një kamp trajnimi i Hamasit në veri të Rripit të Gazës.
Ndër objektivat e para të sulmit ka qenë edhe zyra e shefit të Hamasit, Ismail Hanija. Ai nuk mendohet të ketë qenë prezent. Shihet si e mundshme që Hamasi, që mban bregdetin e Mesdheut, të jetë paralajmëruar dhe të jetë evakuuar nga baza para zhvillimit të sulmeve.