SHBA, përse po refuzohet vaksina anti-Covid për arsye fetare?

Megjithëse gjithnjë e më shumë shtete po e bëjnë të detyrueshme vaksinën kundër COVID-19, disa grupe vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga marrja e saj.

Në krye të listës së tij të zakonshme të detyrave, pastori i Kishës Protestante Ruse, në Los Anxhelos të Kalifornisë, Oleg Gulin ka shumë shkresa për të plotësuar. Herë pas here, famullitarët e tij i kërkojnë që ai t’u nënshkruajë një dokument që i përjashton ata nga vaksinimi kundër COVID-19 për arsye fetare.

“Unë tani nënshkruaj dokumenta të tilla përjashtimi për të gjithë famulltarët e mi që duan një të tillë. Është në formë e thjeshtë ku shkruaj se sipas bindjeve tona, ne nuk e konsiderojmë gjënë e duhur marrjen e kësaj vaksine”, thotë pastori.

Në Kaliforni, është e mundur të marrësh një përjashtim nga vaksinimi kundër COVID-19 për shkak të besimeve fetare.

“Janë dy kritere që duhen plotësuar. Njëra është të jesh besimtar i sinqertë, dhe ky është një lloj termi i paqartë. Në të vërtetë do të thotë se është demonstruar tek një individ se për shkak të fesë nuk e ka bërë vaksinën. Dhe e dyta në fakt është se drejtuesit e fesë kërkojnë që ata të përjashtohen”, thotë Monica Gandhi, eksperte e sëmundjeve infektive.

Besimtarët nuk duan të vaksinohen për shkak të mënyrës se si u testua vaksina dhe për shkak të përbërjes së saj.

“Një nga pretendimet fetare kundër vaksinës së COVID-19 është se ajo ka disa lidhje me qelizat e fetusit nga abortet e viteve 1960. Vaksina J&J përdor qelizat e fetusit, por jo vaksinat mRNA . Por kur koncepti u testua, ata i përdorën këto qeliza. Dhe kjo është arsyeja e besimtarëve që kundërshtojnë vaksinën”, thotë Dorit Reiss, profesore e drejtësisë në universitetin e Kalifornisë.

Pasi Kalifornia filloi të vendoste kufizime për banorët e pavaksinuar, kërkesat për përjashtime për arsye fetare u rritën. Mijëra zjarrfikës dhe punonjës mjekësorë kanë paraqitur në vendet e tyre të punës dokumenta të tilla nga kishat. Por jo të gjithë u lejuan të mos ta bënin vaksinimin.

“Njerëzit mund ta përdorin këtë përjashtim për të provuar të shmangin vaksinën edhe nëse nuk janë vërtet fetarë, por po e bëjnë! Dhe ne e dimë këtë sepse njerëzit po ndjekin seminare se si të marrin një përjashtim për arsye fetare”, thotë Dorit Reiss.

Kjo është arsyeja pse punëdhënësit marrin kohë të shqyrtojnë përjashtimet rast pas rasti.

“Nëse dikush ka marrë vaksina në të kaluarën, mund ta ketë më të vështirë të vërtetojë se nuk e bën këtë vaksinë për shkak të fesë. Por kjo nuk është një pengesë e pakapërcyeshme, sepse së pari, njerëzit mund të ndryshojnë pikëpamjet e tyre fetare – ata mund të bëhen fetarë më vonë; dhe së dyti, ndonjëherë njerëzit mund të thonë: ‘Nuk i dija këto fakte që më shtynë të kundërshtojë’”, thotë Dorit Reiss.

Anatoly Koptev, banor në Los Anxhelos i cili mori një përjashtim për arsye fetare, thotë se e vendos gjithë besimin e tij tek Zoti.

“Po, ndoshta kam bërë disa vaksina në të kaluarën. Por më pas u bëra fetar dhe besimi nuk më lejon të vaksinohem. Kjo mund të ketë ndodhur dje, dhe sot mund të marr një justifikim. Nuk mendoj se mund të gjykohem sepse hyra në fe kaq vonë”.

Ekspertët thonë se autoritetet e Kalifornisë mund të ndalojnë përjashtimet fetare në çdo moment. Dhe në këtë rast, besimtarët do të duhet ose të vaksinohen ose të shkojnë në gjykatë.

Artikulli paraprakTë fshehtat e Facebook, çfarë sekretesh nxorrën dokumentat e publikuara
Artikulli tjetërHapet gara për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD. Kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë