SHBA rrëzon draftin “Rama” për kapjen e drejtësisë

Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar draftin “Rama” të Reformës në Drejtësi dhe ka përjashtuar çdo mundësi për trafikimin e votave në Parlament si dhe përfshirjen e rekomadimave të Komisionit të Venecias të kërkuar nga opozita. E ashtuquajtura “vija e kuqe” për të kapjen e procesit të kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kreu i qeverisë ka rënë, pasi formula e re amerikane parashikon si zgjidhje paketën e ofruar nga opozita.
Një tjetër deklaratë e fortë që ka rrëzuar planet e Ramës për kapjen me çdo kusht të reformës është ajo përmes trafikimit të votave të deputetëve. Nuland e ka bërë të qartë, se reforma do të duhet të miratohet vetëm me konsensusin e opozitës. Risitë e vizitës së Nënsekretares amerikane të Shtetit janë inkurajuese për Reformën në Drejtësi.
Ndërhyrja e Nënskeretares amerikane të Shtetit jo vetëm që ka hapur dritën jeshile për gjetjen e një kompromisi mes pozitës dhe opozitës për një nga reformat më të rëndësishme në vend gjatë këtyre 25 viteve, por në të njëjtën kohë ka evituar një krizë të rëndë politike që do të mbronte vendimin e Ramës për blerjen e deputetëve.
Tashmë që projekti për të miratuar një reformë pa opozitën ka rënë, gjetja e detajave për të bërë një reformë të qëndrueshme ndër vite dhe të merituar për një vend në Aleancën e Atlantikut është lehtësuar nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara.
Nuk duhet se çfarë do të bëhte me draftet e mëparshme dhe as me “vijën e kuqe” të Ramës për opozitën, por të gjitha ato rezultuan false dhe Ramën e treguan edhe një herë para opinionit publik si një mashtrues.

Basha citoi tre propozimet e bëra nga PD në lidhje me reformën. “Në këtë kuadër kemi bërë tri propozime. I pari, që në fakt është propozim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ai i vendeve të rezervuara, i cili është hedhur poshtë nga kundërshtarët tanë politikë. Propozimin e listave alternative të formalizuar përmes draftit të miratuar nga Grupi parlamentar i Partisë Demokratike në fund të majit. Dhe së fundmi, propozimin tonë të tretë i bërë publik ditën e premte nga zoti Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit ad hoc për Reformën në Drejtësi. Këtë kontribut historik, riktheva në vëmendje të zonjës Nuland dhe bashkëbiseduesve të tjerë së bashku me detajet e propozimit tonë të tretë”, tha kreu i PD.
Basha shprehu bindjen se, reforma duhet të miratohet vetëm përmes konsensusit politik, ndërsa risolli në vëmendje faktin se PD u tërhoq nga pozitat në lidhje me propozimet e mëparshme, duke sjellë një propozim të ri që në thelb respekton rekomandimin 88 të Venecias.
“Ne jemi të bindur se kjo reformë mund dhe duhet të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për Reformën në Drejtësi, veç konsensusit politik mes palëve. Ndaj Partia Demokratike ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e saj sa i përket propozimeve të mëparshme, por duke mbetur besnike e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër, në mënyrë konsensuale t’i hapim rrugë kësaj çështje të vetme që i ndan palët sa i përket miratimit në parim të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi”, u shpreh Basha.

Basha: Propozimet e SHBA, pjesë e rrugëzgjidhjes

– Znj. Nuland e ka marrë përsipër një rol negociatori në këtë mes dhe a ju ka premtuar që do të gjejë një konsensus me palën tjetër?
Zonja Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së saj të parë të angazhimit me Shqipërinë. Jam i sigurt që do të vazhdojë ta ketë rol, jam i bindur dhe shumë mirënjohës për rolin e saj. Por unë nuk mund të flas dhe as nuk mund të bëj zëdhënësin e zonjës Nuland.

– Z. Basha po thoni që jeni i bindur për kompromis, do të thoni që e përjashtoni mundësinë e dështimit të reformës në rast se nuk bëhen votat?
Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik.

– Z. Basha, a pati propozim konkret nga znj. Nuland?
Pati, diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera. Padyshim këto propozime do të jenë pjesë sa na përket ne e rrugëzgjidhjes. Ajo që mbetet për t’u konfirmuar është vullneti i palës tjetër. Pala jonë ka një propozim mbi tavolinë, ka vullnetin të diskutojë këtë propozim.
– Cilin?
Propozimin tonë atë që bëmë publik ditën e premte. Të diskutojmë mbi bazën e këtij propozimi. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88 për t’i dhënë Shqipërisë një Reformë në Drejtësi me konsensus politik. Rrugë tjetër nuk ka.

Nuland: Reforma në drejtësi me konsensus

“Negociatorët e të dy palëve kanë punuar shumë fort dhe drafti është shumë pranë përfundimit. Në përpjekje për t’i ndihmuar palët ta mbyllin hendekun e fundit, ambasadori Lu dhe homologia e tij në BE, në 24 orët e fundit, kanë paraqitur një propozim që përpiqet të kapërcejë dallimet mes palëve. Është një propozim hibrid, i cili merr elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës dhe është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time dhe më e rëndësishme ka mbështetjen e gjerë të Uashingtonit dhe udhëheqësve tanë. E rishikova sot në hollësi në takimin me Kryeministrin dhe në takimin me udhëheqësin e opozitës. I nxita të dy ata, në emër të Uashingtonit dhe të kolegëve tanë në BE, që të përpiqen të bashkohen rreth këtij propozimi në ditët që vijnë, sepse është koha për të arritur një marrëveshje – populli shqiptar po pret. Është një çast që të gjithë patriotët e Shqipërisë të bashkojnë forcat dhe t’i japin popullit të këtij vendi atë që meritojnë. Dhe me një Reformë të fortë Drejtësie, Shqipëria mund të ecë përpara me të tjera gjëra që janë po ashtu të rëndësishme për qytetarët tuaj dhe të rëndësishme në marrëdhënien tonë, përfshi forcimin e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës, sjellja e investimeve. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë krenare të qëndrojnë përkrah aleates sonë Shqipërisë teksa vazhdoni të forconi demokracinë tuaj dhe rrugën tuaj drejt Europës dhe drejt begatisë.

– Znj. Nuland, derisa të shohim arritjen e këtij kompromisi, kemi të drejtë të jemi skeptikë. Pyetja ime është, në rast se ky kompromis i shumëpritur nuk arrihet, sipas jush, cili duhet të jetë hapi i radhës, duke patur parasysh që Parlamenti duhet ta votojë këtë reformë pas 10 ditësh?
Keni të drejtë. Koha është e shkurtër dhe për këtë arsye po i nxisim të gjithë që të punojnë shumë fort dhe jemi duke bërë më të mirën tonë duke u përpjekur të bëjmë bashkë idetë më të mira nga të dyja palët. Unë jam amerikane dhe jam optimiste nga natyra, sigurisht. Dhe siç e dini, unë punoj për Presidentin “Po, Ne Mundemi!”. Kështu që, sërish, i themi të gjithë patriotëve shqiptarë dhe në veçanti politikanëve, “Ju i shërbeni njerëzve; le të mbërrijmë tek “Po, Ne Mundemi!”.

– A e dëgjuat ju nga Lulzim Basha dhe Edi Rama [përgjigjen] “Po, Ne Mundemi” dhe “Po, Do ta Bëjmë?”
Me sinqeritet mund të them se në të dyja takimet e mia me Kryeministrin dhe me liderin e opozitës të dy ata shprehën dëshirën për të arritur një marrëveshje, për të qenë së bashku dhe për të paraqitur një Reformë Drejtësie solide. Nuk është sekret për të gjithë ju që politika në këtë vend është e ashpër, por unë ndjeva që ata të dy e dinë se është momenti për lidership.

– Znj. Nuland, a mund të na jepni hollësi më konkrete të propozimit dhe gjithashtu për procesin ndërkombëtar të monitorimit. Cili do të jetë roli i tij?
Mendoj se është e rëndësishme të lejohen negociatorët të kenë pak hapësirë që ta shqyrtojnë atë. Do të përsëris vetëm atë që thashë në fillim, se ky është një propozim hibrid që merr idetë që kemi dëgjuar nga të dyja, si nga qeveria dhe nga opozita, dhe mundohet të mbyllë hendekun. Bazohet në dëgjimin shumë të mirë, aktiv, që kanë bërë ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE-së dhe tenton të kombinojë një nivel të përshtatshëm monitorimi me një mbrojtje të fortë të sovranitetit të Shqipërisë.

Reforma, Rama nuk do të ketë shumicën në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Propozimi, që mban prapë formalisht firmën e SHBA e BE, nuk ia lë më në dorë Kryeministrit dhe shumicës mekanizmin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Komisionit të Vetingut dhe të Apelimit të Vetingut. Burime thonë se ky variant përafrohet shumë me atë që PD paraqiti të premten.
Kjo ishte edhe arsyeja përse Basha, në dalje nga takimi me zonjën Nuland, e ftoi mazhorancën të reflektojë mbi variantin e paraqitur.
“Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv, të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër, në mënyrë konsensuale t’i hapim rrugë kësaj çështje të vetme që i ndan palët sa i përket miratimit në parim të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi”, u shpreh Basha.
Nuland ka shprehur dakordësi edhe për insistimin e Bashës se paketa mund të miratohej vetëm me konsensus. Basha e la të kuptohej këtë në prononcimin për median menjëherë pas bisedimeve me të: “Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik”, deklaroi ai.
Dy orë më vonë Victoria Nuland ia vuri përpara në tavolinë këtë variant edhe Kryeministrit Rama, si zgjidhjen e vetme që reforma të miratohej me votat e të gjitha palëve dhe jo me vota të trafikuara apo “të disa vëllezërve” që Rama kishte “kërcënuar” se do t’i gjente në të djathtën e Parlamentit. Ndryshe nga thirrjet e ambasadorit Lu apo nga deklaratat e shefes së politikës së jashtme të BE, Mogherini, për “vota individuale”, ajo ia ka bërë të qartë Kryeministrit Rama se vetëm konsensusi mund ta bënte të vlefshëm miratimin e reformës në Parlament.
Kryeministri është gjendur përballë faktit se SHBA e BE “lëvizën” nga pozicioni i tyre, duke paraqitur një variant të ri, të ndryshëm nga ai i miratuar nga mazhoranca në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, të ndryshëm nga ai “me vijë të kuqe”, një variant që përfshin shqetësimet dhe propozimet e opozitës, gjithnjë duke ruajtur kornizën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, një variant që përjashtonte “votën individuale”.
Nuland tha në deklaratën e saj pas dy takimeve, se varianti i ri “është një projekt që do të ndihmojë të dy palët që ta mbyllin edhe hapësirën e vetme boshe”.

Exit mobile version