Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se sanksionet ekonomike vazhdojnë të jenë leva më e fuqishme e Uashingtonit mbi Rusinë dhe se këto masa pengojnë përpjekjet potenciale të Rusisë për të pushtuar më shumë territor të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin e saj.
Victoria Nuland, Ndihmëssekretare e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, u tha ligjvënësve se Moska vazhdon të shkelë traktatet për kontrollin e armëve.
Komentet e saj para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë vijnë vetëm pak javë përpara një samiti të rëndësishëm të NATO-s në Varshavë.
Këtij samiti do t’i paraprijë një takim i udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel. BE pritet të rinovojë sanksionet kundër Rusisë, të cilat, së bashku me SHBA-në, i ka ndërmarrë pasi Moska ka ankesuar me forcë gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë thënë se sanksionet, që kanë prekur rëndë ekonominë ruse, do të hiqen nëse Moska zbaton Marrëveshjen e Minskut, e cila parasheh zgjidhjen e konfliktit midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.
“Leva më e madhe që kemi në Rusi është mbajtja në fuqi, për dy vjet, e sanksioneve të thella dhe gjithëpërfshirëse… Marrëveshja e Minskut nuk po zbatohet, andaj sanksionet do të ripërtërihen”, tha Nuland.
Ajo shtoi se, sanksionet kanë ndikuar edhe politikën e Rusisë.
“Kemi penguar pushtimin e mëtejmë të tokave në Ukrainë. Ky ka qenë rrezik real kur kemi filluar zbatimin e sanksioneve. Ata do të bënin përpjekje për të arritur në Kiev e Karkiv. Rusët tani flasin hapur për dhimbjen e sanksioneve”, tha Nuland.
Duke folur përpara të njëjtit komitet të Senatit, Michael Carpenter, zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes, me përgjegjësi për Rusinë, tha se Moska është duke dërguar shumë armatim dhe kapacitete ushtarake në gadishullin e Detit të Zi në përpjekje për të parandaluar SHBA-në ose aleatët e saj që të veprojnë në rajon.
Nuland u tha senatorëve se, Rusia është duke shkelur Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme të vitit 1987.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka akuzuar Rusinë se është duke ndërtuar një bazë tokësore për lëshimin e raketave, e cila shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme. Moska i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka thënë se sistemi amerikan i mbrojtjes raketore në Evropën Lindore shkel marrëveshjen.
Nuland po ashtu u ndal tek akuzat e Rusisë se zgjerimi i NATO-s në lindje në vitet 1990 duhet të fajësohet për tensionet aktuale në Evropë. Ajo tha se, Moksa ka dështuar të përfitojë nga oferta e Perëndimit për bashkëpunim më të madh.
Një artikull i publikuar së voni në një revistë akademike të Universitetit të Harvardit dhe një editorial shoqërues në gazetën “Los Angeles Times” kanë argumentuar se NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë shkelur garancitë e dhëna në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik, se aleanca nuk do të përpiqet të përvetësojë ish-anëtarët e Paktit të Varshavës.