Ligjvënës amerikanë të të dyja partive politike, thanë së është borxh ndaj qytetarëve amerikanë një llogaridhënie e hollësishme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, ndërsa një përfaqësues i rëndësishëm republikan bëri thirrje për sanksione ndaj hakerëve rusë.
“Është e qartë që Rusia është përfshirë në zgjedhjet e fundit dhe ka mbledhur të dhëna për të dyja palët, ndërsa ka publikuar të dhëna vetëm për njërën palë (për të dëmtuar demokratët) në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet”, i tha “Zërit të Amerikës” kreu i demokratëve në Komitetin e Zbulimit, Dianne Feinstein.
Senatori republikan, Lindsey Graham, u pajtua.
“Ka shumë dëshmi që ata ndërhynë në zgjedhjet tona duke hakuar sistemet dhe duke i bashkuar forcat me të tjerët që të japin informacion që ishte i favorshëm për njërën palë kundër tjetrës”, tha tha Graham, duke shtuar se “ky është një precedent që nuk mund të lejojmë që ta kalojë pa u vërejtur”.
“Unë dua të gjejmë se çfarë kanë bërë, faktet kundrejt fiksioneve dhe të vendosim sanksione që do t’i shkaktonin dhimbje Rusisë – individëve në Rusi (përgjegjës për ndërhyrjet)”, theksoi Graham.
Pohimet e tilla mund të çojnë në përplasje me të mundshme me presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump, i cili ka pohuar se zgjedhjet ishin të lira nga ndërhyrjet ruse.
Në një deklaratë të rrallë publike në tetor, zyrtarët e qeverisë së SHBA-së thanë se sulmet kibernetike mbi organizatat politike demokratike dhe emailet e personelit të ish-kandidates demokrate, Hillary Clinton, u drejtuan nga “zyrtarë të lartë rusë”.
Shumë demokratë nga të dyja dhomat e Kongresit i shkruan Shtëpisë së Bardhë me kërkesën që të bëhen të ditura më shumë informacione rreth kësaj çështjeje.
Feinstein nuk e kishte hedhur emrin e saj në letër, duke theksuar se tash për tash nevojitet më shumë durim.
“Hetime të caktuara janë ende duke u zhvilluar. Mendoj se ato duhet të kompletohen para se të dalin informacionet, tha Feinstein. “Një ditë të gjitha do të dalin në shesh”.
Ligjvënësit demokrat Eric Swalwell and Elijah Cummings, nxorën të mërkurën ligjin për krijimin e një paneli të të dyja partive për të hetuar ndërhyrjen ruse.
Republikani Graham tha se çështja nuk është partiake. Ndërsa demokratët ishin në shënjestër të këtij viti, republikanët mund të jenë në shënjestër të një vendi tjetër në zgjedhjet e ardhshme, tha ai.
“Çfarë nëse iranianët e bëjnë këtë? Nëse Trumpi do të jetë i rreptë me iranianët siç ka thënë se do të jetë, mund të shohim një ndërhyrje në palën republikane. Dhe kjo mund të çojë në kaos”, tha Graham.
Çështje e hapur mbetet se si arritën hakerët e huaj tek emailet e fushatës së zonjës Clinton dhe i publikuan ato nëpërmjet WikiLeaks në periudhën përmbyllëse të fushatës presidenciale.
Senatori demokrat, Ben Cardin, tha se pret që më shumë informacione të dalin në ditët në vazhdim nga administrata e Presidentit Obama.