Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar gjatë një konference për energjinë në Bruksel se administrata e Presidentit Trump do të ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj kompanive evropiane që po ndërtojnë linjën e tubacioneve të gazit natyror “Nord Stream 2” , të parapëlqyer nga Kremlini, për transportimin e gazit nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën.
Linja e tubacioneve “Nord Stream 2” (NS2) do të zëvendësojë kryesisht një tubacion të vjetër që kalon nëpër Ukrainë dhe Poloni dhe ka mbështetjen e qeverisë gjermane. Por kjo ka shkaktuar alarm tek qeveritë e Evropës Qendrore, zemërimi i të cilave është shtuar edhe më shumë nga minimalizimi i shqetësimit të tyre nga ana e Berlinit.
Këto vende kundërshtojnë linjën e tubacioneve të gazit “Nord Stream 2” (NS2), e cila do të përshkojë 1,200 kilometra nga Vyborgu i Rusisë në Lubmin të Gjermanisë, duke kaluar nën Detin Baltik, jo vetëm sepse do të humbasin tarifat fitimprurëse të tranzitit nga tubacionet e vjetëra, por sepse ato druhen se Kremlini dëshiron të zhvillojë tubacionin NS2 kryesisht për arsye politike dhe jo komerciale.
Duke folur në konferencën për energjinë në kryeqytetin belg, Nicole Gibson, zëvendës drejtoreshë e zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropën, paralajmëroi se nëse kompanitë evropiane rifillojnë të vëndosin tubacionet nga fundi i vitit, ato rrezikojnë “sanksione të forta”.
Duke refuzuar të jepte detaje rreth sanksioneve kërcënuese, zonja Gibson tha se Uashingtoni nuk e pranon se “Nord Stream 2” është një marrëveshje tashmë e kryer. “Disa njerëz thonë se ajo është fakt i kryer” Ne nuk e shohim kështu. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që “Nord Stream 2 të mos realizohet”, tha ajo.
Udhëheqësi i Ukrainës Petro Poroshenko ka paralajmëruruar se NS2 do të lejonte Kremlinin që të mbyllte rubinetin e gazit për Ukrainën dhe Evropën Qendrore kur të dëshironte dhe të shantazhonte fqinjët më të afërt pa ndërprerë furnizimet për Evropën Perëndimore, duke ulur kështu kundërshtimin nga vendet më të fuqishme evropiane, por duke luajtur me shtetet më të dobëta.
Paralajmërimi i zyrtares së lartë amerikane vjen dy muaj pasi Richard Grenell, i dërguari amerikan në Gjermani, u dërgoi letra disa dhjetëra kompanive evropiane të energjisë dhe të ndërtimit, duke thënë se ato përballen me sanksione, nëse rifillojnë vendosjen e tubacioneve të betonuara të linjës NS2. Konstruksioni i linjës u pezullua në dhjetor si rezultat i motit të ashpër.
Kundërshtimi i Uashingtonit ndaj NS2 ka qënë i vazhdueshëm, edhe administrata e Presidentit Obama ishte kritike.
Kundërshtimi i Presidentit Donald Trump ka një prirje më të fortë, ndërsa zyrtarët shohin një kërcëmim politik që fshihet pas tubacionit të ri. Ata argumentojnë se NS2 do të minojë sigurinë evropiane, do të thellojë varësinë e Evropës Perëndimore ndaj energjisë ruse dhe do t’i japë Kremlinin një mundësi më të madhe për të përdorur burimet e gazit natyror për të ushtruar ndikim politik dhe shantazhuar qeveritë e Evropës Perëndimore.
NS2, që do të jetë nën pronësinë e gjigandit Gazprom të drejtuar nga Kremlini, do të dyfishojë kapacitetet e dërgimit të gazit në Gjermani, që është ekonomia më e fuqishme e Bashkimit Evropian.
Ndërtimi i rrjetit të tubacioneve do të kushtojë miliarda dollarë. Rusia është furnizuesi i më shumë se një të tretës së nevojave për gaz natyror në Evropë. Ndërsa shtohet kërkesa, furnizimi mund të shkojë në 50 përqind të nevojave gjatë dhjetë vjeçarit të ardhëshëm, parashikojnë ekspertë të industrisë energjitike.
Korrikun e kaluar gjatë një vizite në takimin e përvitshëm të NATO-s në Bruksel, Presidenti Trump shprehu zhgënjimin e tij me Kancelaren Angela Merkel lidhur me tubacionin e gazit Rusi-Gjermani, duke thënë: “Supozohet se ne do t’ju mbrojmë ju nga Rusia, por Gjermania po bën marrëveshje me Rusinë për gazin.”
Por zonja Merkel është përballur me presion nga bizneset gjermane, të cilat thonë se NS2 do të shkurtojë koston energjitike për vendin. Kancelarja gjermane duket se po e distancon veten nga një premtim që ajo bëri vitin e kaluar ndaj udhëheqësve të Evropës Qendrore, kur ajo pranoi për herë të parë shqetësimet gjeopolitike të aleatëve, duke thënë se NS2 do të vazhdojë, vetëm Ukraina do të ishte përsëri një vend tranzit i gazit rus.
Gjermania së bashku me vendet tranzite të linjës së gazit NS2, Finlandën, Suedinë, Danimarkën, argumentojë se tubacioni do të shtojë sigurinë energjitike për Evropën, duke menjanuar mundësinë e ndërprerjeve nga rruga e vjetër përmes vendit të paqëndrueshëm politikisht, Ukraina. Uashingtoni beson se tubacioni NS2 po ashtu është një përpjekje e Rusisë për të dëmtuar Ukrainën ekonomikisht, duke i hequr tarifën si vend tranzit i gazit.
Zyrtarët ukrainas përllogarisin se humbjet nga NS2 do të jenë të larta, duke kapur shifrën 2.5 miliardë dollarë në vit.
“Kur të përfundojë NS2 këtë vit, nuk do të ketë nevojë përdorimi i sistemit të tranzitit të gazit përmes Ukrainës” tha Yuriy Vitrenko drejtues i kompanisë Naftogaz të Ukrainës që zotërohet nga shteti, në konferencën për energjinë në Bruksel. “Ukraina do të humbasë afërsisht 4 përqind të prodhimit të brendshëm brudo”, shtoi ai.
Zyrtarët e Kremlinit thonë se Uashingtoni dëshiron ta ndalojë NS2, sepse gjigandët amerikanë të energjisë po shpresojnë të eksportojnë gaz natyror të tepërt në Evopë në formë të lëngëzuar. Zyrtarët amerikanë nuk e kanë mbajtur sekret shpresën që firmat energjitike amerikane të jenë në gjendje të përfitojnë nga ndalimi i gazësjellësit NS2, por thonë se kjo nuk është arsyeja kryesore për kundërshtimin ndaj tubacionit.
Alarmi i zyrtarëve amerikanë rreth NS2 ka patur mbështetjen edhe të zyrtarëve evropianë të sigurisë. Ish shefi i NATO-s Anders Fogh Rasmussen e ka cilësuar NS2 si “gabim gjeopolitik” për Bashkimin Evropian. Ai ka thënë ky veprim binte ndesh me sanksionet evropiane ndaj Moskës për aneksimin e Krimesë nga Rusia.