Senatorë republikanë e demokratë pritet të paraqesin një projekligj në një përpjekje për të penguar Rusinë që të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane duke e kërcënuar atë me sanksione të ashpra në fushën bankare, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe borxhin kombëtar.
Ai që njihet si “Akti i frenimit” është përpjekja më e fundit e ligjvënësve amerikanë për të rritur presionin mbi Moskën ndaj atyre që ata i shohin si një sërë sjelljesh të papranueshme, prej agresionit të saj në Ukrainë dhe përfshirjes në luftën civile në Siri, tek përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.
Masa legjislative do të prezantohet nga senatorët Chris Van Hollen (demokrat) dhe Marco Rubio (republikan). Ata paraqitën një projekligj të ngjashëm vitin e kaluar, që gjithashtu kishte mbështetje dypartiake, por masa nuk u soll asnjëherë për votim nga udhëheqësit republikanë të senatit,
Agjencia Reuters e cila ka dijeni mbi detajet e legjislacionit, njofton se sipas kësaj mase është Drejtori i Zbulimit Kombëtar (DNI) që brenda 30 ditëve nga çdo zgjedhje federale, do të përcaktojë nëse Rusia apo ndonjë qeveri tjetër e huaj, apo kushdo që vepron si një agjent i asaj qeverie, ka ndërhyrë në zgjedhje.
Nëse sipas kësaj agjencie një ndërhyrje e tillë ka ndodhur, projektligji i propozuar kërkon ndër të tjera, vendosjen e sanksioneve të detyrueshme brenda 10 ditëve ndaj bankave dhe kompanive ruse të energjisë.