SHBA spektakël edhe ndaj Venezuelës në basketboll

Tjetër paraqitje fantastike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në basketbollin e meshkujve. Dream Team fitoi me një lehtësi të jashtëzakonshme edhe ndeshjen e dytë në Olimpiadën e Rio de Janieros, duke blinduar vendin e parë në Grupin A. Pas triumfit ndaj Kinës, skuadra e trajnerit Mike Kryzyzewski kaloi me shifrat e thella 113-69 Venezuelën. 44 pikë avantazh në fund të sfidës që tregoi edhe një herë tjetër diferencat që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me skuadrat e tjera. Vetëm në periodën e parë rezistoi Venezuela, pasi ky fraksion loje u mbyll në barazim 18-18. Më pas në parket kishte vetëm një skuadër dhe ajo ishte Dream Team-i amerikan që e shpartalloi kundërshtarin nga Amerika e Jugut në çdo aspekt.
Pikëshënuesi më i mirë i sfidës për skuadrën e Kryzyzewskit ishte basketbollisti i Indiana Pacers, Paul George me 20 pikë të realizuara i ndjekur nga Jimmy Butler, Kevin Durant dhe Carmelo Antony. Ky i fundit realizoi në total 14 pikë, të cilat e ngjitën në vendin e 3 Melon përsa i përket basketbollistëve amerikanë që kanë shënuar më shumë pikë në lojërat olimpike. Përpara tij tashmë janë vetëm David Robison me 8 pikë më shumë dhe Lebron James me 11 pikë më tepër. Kalimi i grupit është pothuajse i sigurtë për amerikanët pas suksesit ndaj Venezuelës, por nëse vazhdon me këto ritme Dream Team me siguri do të bëjë të sajën medaljen e tretë të artë radhazi. Në dy sfidat e tjera të Grupit A kishte festë për Francën dhe Australinë që mposhtën respektivisht Kinën dhe Serbinë.

Exit mobile version