Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bisedojnë me Iranin “pa parakushte,” shprehet Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Zoti Pompeo thotë se administrata Trump është e hapur për bisedime me Iranin për të ulur tensionet që kanë zgjuar shqetësime për një vatër të re konflikti në Lindjen e Mesme.
Por shefi i diplomacisë amerikane nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga presioni mbi Iranin për ta bindur të ndryshojë politikat e tij në Lindjen e Mesme. Zoti Pompeo përsëriti një akuzë të theksuar edhe më parë nga Uashingtoni se Irani ndjek një politikë të destabilizimit të rajonit.
Zoti Pompeo i bëri komentet pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Ignazio Cassis, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për shkallëzim të tensioneve me Iranin. Situata në Lindjen e Mesme ka shqetësuar aleatë të Amerikës në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Evropë.
Zoti Cassis, vendi i të cilit përfaqëson interesat amerikane në Iran, ka shërbyer në disa raste si ndërmjetës mes administratave të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Ai e shprehu qartë nervozizmin e krijuar nga situata aktuale në rajon. “Të dyja palët po shtojnë tensionet dhe kjo na shqetëson,” tha zoti Cassis.
Ai tha se vendi i tij është i gatshëm të shërbejë si ndërmjetës, por jo si ndërmjetësues, pasi për të ndërmarrë një rol të tillë Zvicrës duhet t’i bëjnë kërkesë të dyja vendet.
As ai, as zoti Pompeo nuk thanë nëse autoritet zviceriane kanë marrë një kërkesë të tillë. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ndodhet në Zvicër në kuadër të turneut të tij në katër vende evropiane.