SHBA tërheqin ambasadoren nga Ukraina

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr përpara kohe diplomaten e karrierës Marie (Masha) Yovanovitch nga posti i ambasadores në Ukrainë. Departamenti i Shtetit tha se ky hap ndërmerret ndërsa në Kiev do të ndodhë tranzicioni drejt presidentit të ri të vendit.

Por, dy ligjvënës kryesorë demokratë thonë se tërheqja e ambasadores është një “lëvizje e paramenduar politike”, me rrënjët tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Shtetit tha se 60-vjeçarja Yovanovitch, e emëruar nga Presidenti Barack Obama, është duke përmbushur mandatin e saj tre-vjeçar në Ukrainë “sipas planit”, megjithëse mandati i saj përfundon më 20 gusht.

Departamenti i Shtetit tha se kthimi i saj koinçidon me inaugurimin në muajin qershor të komedian Volodymyr Zelensky, si udhëheqës i Ukrainës, pas humbjes së thellë të Presidentit Petro Poroshenko gjatë votimeve të muajit të kaluar.

Ligjvënësi Steny Hoyer, udhëheqës i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe Ligjvënësi Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, ngritën dyshime për shpjegimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për kthimin e parakohshëm të zonjës Yovanovitch.

Ata u shprehën se ajo është një “punonjëse e dedikuar e shërbimit civil dhe një diplomate e kalibrit më të lartë, e cila përfaqësoi Shtetet e Bashkuara gjatë administratave demokrate dhe republikane”.
Ligjvënësit pretendojnë se “vendimi revoltues i Shtëpisë së Bardhë për rikthimin e saj është një lëvizje e paramenduar politike; lëvizja më e fundit e fushatës së kësaj administrate kundër personelit të karrierës të Departamentit amerikan të Shtetit. Është e qartë se ky vendim është politikisht i motivuar, ndërkohë që aleatë të Presidentit Trump u janë bashkuar aktorëve të huaj për të lobuar në favor të shkarkimit të ambasadores”.

Ligjvënësit Hoyer dhe Engel thanë se nëpërmjet tërheqjes së ambasadores Yovanovitch “vetëm disa muaj përpara se të përfundonte mandati i saj në Ukrainë, administrata po dëmton interesat amerikane dhe po dëmton diplomacinë amerikane”.

Mandati i ambasadores Yovanovitch në Kiev përkoi me hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Një ndër personazhët kryesorë të hetimit ishte ish-kreu i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort, i cili mori miliona dollarë pagesa si lobist për interesat pro-ruse në Ukrainë, të lidhura me Presidentin e larguar Viktor Yanukovych, ndaj të cilit u zhvillua një kryengritje popullore në vitin 2014.

Zoti Manafort tashmë është gjetur fajtor për disa krime financiare të lidhura me lobizmin e tij dhe është dënuar me 7.5 vite burg. Prokurori i Përgjithshëm ukrainas Yuriu Lutsenko ka aluduar se informacioni për zotin Manafort u bë publik, me qëllimin për të ndihmuar fushatën e demokrates Hillary Clinton përballë zotit Trump. Gjatë muajve të fundit, Presidenti Trump i përqafoi këto aludime, në përpjekje për të hedhur poshtë pretendimet se ishte ndihmuar nga Rusia.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter në muajin mars: “Ndërsa zbehet bashkëpunimi i fshehtë me Rusinë, shfaqet komploti ukrainas për të ndihmuar (Hillary) Clintonin”. Po në muajin mars, djali i madh i Presidentit, Donald Trump Jr., shkruajti në Twitter se SHBA-së i duhen më shumë ambasadorë konservatorë si Richard Grenell, ambasadori i emëruar në Gjermani nga Presidenti Trump, dhe më pak “ambasadorë shakaxhi” si znj. Yovanovitch. “Shtohen thirrjet për heqjen e ambasadores amerikane të Obamës në Ukrainë”, shkruante ai.

Ligjvënësit Hoyer dhe Engel i bënë thirrje Departamentit të Shtetit të rikthejë në detyrë ambasadoren Yovanovitch. Ata thanë se “në këtë periudhë tranzicioni, Ukrainës i duhen profesionistë të aftë, si Ambasadorja Yovanovitch, më shumë se kurrë më parë”.

Exit mobile version