Shefi i Komisariatit të Pukës zotëron disa parcela me drogë në bashkëpunim me nipin e vrasësit Arben Frroku, Sokol Frroku edhe ky i dënuar nga Gjykata për vrasje. Para pak ditësh, policia ndërmori një aksion për shkatërrimit e parcelave me drogë në Pukë, por parcelat që janë në pronësi të shefit të komisariatit dhe vrasësit Frroku nuk janë prekur, ndonëse janë të dallueshme.
Skandali është denoncuar nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Shefin e Komisariatit të Pukës që mbjell me Frrokët drogë, të cilën e mbron policia! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit”.
“Mirmbrëma zoti Berisha. Do doja t’ju informoja për një zotëri i quajtur Sokol Frroku, nipi i Arben dhe Mark Frrokut, i dënuar nga Gjykata shqiptare si i sëmurë mendor për vrasjen e një 19-vjeçari në Luf të Pukës dhe përsëri po i njëjti person kapet për trafik droge në Greqi dhe bën ca vite burg. Pra, një i “sëmurë mendor” që vret mund të merret dhe me kokainë. Sot, zotëria ka mbjellë kanabis. I lidhur me shefin e Komisariatit Pukë arrin që t’i shpëtojë i vetmi nga fshesa që i bëri policia pjesës së Kqirës, ku ishin mbjellë shumë. Po vetëm parcelat e këtij njeriu s’preken dhe janë më të dallueshmet nga të gjitha. Kjo tregon se si lihet një vrasës të bashkëpunojë me një shef policie me një parti mafioze si Partia Socialiste”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Pas publikimit të lajmit në gazetën “RD” për mbjelljen e parcelave me kanabis në Pukë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Pukës, në bashkëpunim me shefin e Komisariatit të Policisë, Hamdi Shullani, policia ndërmori një aksion për shkatërrimin e kanabisit, por bëhet e ditur se nuk janë prekur parcelat e shefit të komisariatit dhe vrasësit Frroku.
Ndonëse u ndërmor një aksion policor, e gjithë Puka vijon të jetë e mbuluar me kanabis dhe ky fakt denoncohet edhe nga qytetarët. Zona më e madhe e mbjellë me kanabis është në Luf, e cila zotërohet nga vetë shefi i komisariatit dhe ruhet me policë dhe banditë të armatosur. Bëhet e ditur se shoferi i shefit të Komisariatit të Policisë patrullon me makinë në këtë zonë për të kontrolluar rojet, pasi kanabisi është në fazën e pjekjes.
Parcela të shumta në Pukë si në Luf, Qelëz, Sapac, Zvinë, Qafë Mali, etj., janë ende të mbjella me kanabis. Këto ara kontrollohen nga njerëzit e shefit të policisë, ndërsa policia jo vetëm që nuk ndërhyn për t’i shkatërruar arat me kanabis, por është vënë në ruajtje të tyre. E njëjta situatë është edhe në Fushë-Arrëz.
I gjithë vendi është i mbuluar me kanabis dhe parcelat me drogë ruhen nga banditë të armatosur dhe forca policie. Droga është mbjellë me dijeninë e drejtuesve të policisë, të cilët jo vetëm që kanë në pronësi parcelat e tyre me kanabis, por marrin 50 euro për çdo rrënjë të mbjellë me kanabis nga trafikantët.
Para katër ditësh u ndërmor një operacion në Kolonjë për shkatërrimin e kanabisit, por aksioni u dekonspirua nga vetë krerët e policisë, pasi kishin në pronësi parcelat e tyre me drogë.
Enton DOÇI