Shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, i cili ishte në krye të listës së personave të caktuar nga Rama që drejtonin grupin kriminal të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve në Dibër është një nga krerët e trafikut të drogës në Dibër.
Dibra ishte në qendër të debateve mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve dhe atij të Sigurisë, jo më shumë për rezultatin e zgjedhjeve të 11 shtatorit sa për situatën e kultivimit të bimëve narkotike. Flamur Noka dhe Arben Ristani që u angazhuan në betejën elektorale për Bashkinë, thanë se në atë zonë si në gjithë Shqipërinë sundon karteli i krimit.
Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi dje se ka qenë vet dëshmitar dhe ka parë se si Aga, drejtori i Komisariatit të Dibrës kujdesej për plantacionet e tij të kanabisit. “Shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, është marrë vetë me mbjelljen në fshatin e tij, 12 dynymë të mbjella me hashash. I kam parë vetë, nuk kam nevojë me më thënë të tjerët. Dhe kishte lënë një punonjës policie të armatosur që e ruante. E korri të nesërmen që shkova dhe e pashë unë. E korri. Kontributi kryesor i këtyre policëve e di cili është apo jo, përveç mbjelljes, vaditjes dhe korrjes, është vjelja e taksës, 30%.
Nuk ka parcelë që nuk monitorohet nga punonjës policie të armatosur. Kam parë në Dibër shefin e komisariatit që kërcënonte qytetarët se kërkonin ujë për të vaditur arat, sepse ujin e donte për hashashin. Pazaret e drogës do të kenë viktima dhe pasojat do të jenë të shpejta. Këtë e bën vetëm Edi Rama. Policia vjel taksën 30%. Policia gjen farën, ka dhënë kontribut në mbjellje tani edhe në vjeljen. Kam parë Agën që kishte mbjellë 12 dynymë në fshatin e vet. Keni çuar policinë në parcelat që s’kanë paguar 30%. Kush paguante nuk e preknit. Ky është shteti që po ndërtoni, është shtet kriminal”, tha ish-ministri i Brendshëm.
Deputetët u përfshinë në debate në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Sigurisë Kombëtare gjatë diskutimit të projektligjit për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike.
Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe ish-zëvendësi i tij Arben Ristani nga Komisionet e Sigurisë dhe të Ligjeve kanë debatuar me zv/ministrin e Brendshëm, Stefan Çipa mbi sipërfaqet me drogë. “Ta dini që ajo drogë në këto përmasa, sigurisht që nuk ka treg në Shqipëri. Një pjesë ka për të mbetur do të synojë gjimnazet, turp të ju vijë, nxirrni përgjegjësitë dhe sillni ligjet që të rregullojnë gjendjen”, u shpreh Ristani. Ai tha se janë vet pushtetarët që po bashkëpunojnë ngushtë me trafikantët e drogës, ndërsa vendi nga Veriu në Jug është shndërruar në Kolumbi. “Kokë e këmbë në bashkëpunim me bandat e drogës e keni kthyer Shqipërinë në Kolumbi dhe turp t’ju vijë për gjendjen në të cilën e keni katandisur vendin”, u shpreh ndër të tjera Ristani.
Robert Aga, shefi i komisariatit që u denoncua dje nga Noka është denoncuar para një jave nga PD si pjesë e grupit të strukturuar kriminal për blerjen e votave në Dibër. Shtabi elektoral i Partisë Demokratike mori informacion për shpërndarjen e parave nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë të administratës publike, nën mbrojtjen dhe shoqërimin e policisë së drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga. Kështu, në fshatin Pilaf, Komuna Tomine u kapën nga banorët duke shpërndarë lekë për blerje votash administratori i Tominit, Nuri Meda, së bashku me Shefki Ademin në makinën X5 e zezë, AA 909 KH, nën mbikëqyrjen e furgonit të policisë me targa POLICIA 0788 me përgjegjës Robert Aga.
Arben Shahini