Shefi i Komisariatit të Rinasit flinte gjumë ku u krye grabitja

Supergrabitja në Aeroportin e Rinasit ka shkaktuar debate edhe në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Parlament. Nënkryetari i këtij komisioni, Flamur Noka deklaroi gjatë fjalës së tij se, në kohën kur ndodhi grabitja në aeroport, shefi i Komisariatit të Rinasit, Skënder Sallaku, ka qenë duke fjetur gjumë. Noka publikoi edhe një foto ilustruese të zyrtarit të policisë që flinte gjumë në makinë. “Shefi i Komisariatit të Rinasit, Skënder Sallaku, ka qenë duke fjetur gjumë në kohën kur po kryhej grabitja. Edhe pas njoftimit policia nuk ka ndërhyrë për të ndaluar grabitësit e armatosur”, u shpreh Noka.
Deputeti i LSI, Luan Rama tha se, pas kësaj ngjarje siguria në Rinas është zero, pasi ngjarje të tilla, sipas tij, nuk kanë ndodhur as në vitin 1997. “Siguria në Rinas është zero. Ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur as në vitin 1997. Nuk ka rëndësi shuma e vjedhur, por fakti që në Rinas hyri grupi i armatosur. Është shkelur siguria kombëtare dhe vija e kufirit. Duhet të kërkojmë llogari për masat e sigurisë të marra pas ngjarjeve në Stamboll”, tha ai.
Deputeti Asllan Dogjani tha se, është cenuar rëndë siguria kombëtare dhe se duhet të ishte në raportim ministri i Brendshëm. “Makina, e cila u përdor nga grabitësit mund të ishte me eksploziv, duhet të merreshin masa për një mbledhje të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare”, tha Dogjani. Ndërsa deputeti socialist, Paulin Sterkaj u shpreh se duhen lënë hetimet për të zbardhur ngjarjen. “Duhet të lëmë hetimet të flasin vetë. Kam bindjen se grupi që grabiti s’ka qenë grup i armatosur, por marrëveshje midis individëve me pozicione të ndryshme”, tha ai.
Hetimet për supergrabitjen në Rinas po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Hetimi i deritanishëm ka evidentuar një sërë mangësish dhe shkeljesh nga administrata e aeroportit dhe nga “ICTS”, kompania përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sistemi i Rinasit nuk ka dhënë alarm në momentin që një prej grabitësve ka kapërcyer gardhin rrethues.
Alarmi nuk ka rënë as kur brava e derës hyrëse u pre me gërshërë metalike dhe prej andej hyri makina e grabitësve. Po kështu, në momentin kur autorët e grabitjes arritën tek avioni që do të nisej drejt Vjenës, paratë ndodheshin në duart e vetëm tri vetave të paarmatosur, që nuk patën çfarë të bënin. Nisur nga këto fakte dhe nga informacionet e tjera, Prokuroria dyshon se grabitja është favorizuar nga njerëz të brendshëm të aeroportit, policisë dhe kompanive të sigurisë që kanë pasur të bëjnë me paratë.
Detaje të tjera kanë dalë në dritë në lidhje me perimetrin e sigurisë së Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” kur kanë kaluar disa ditë nga grabitja e një shume marramendëse parash të një banke të nivelit të dytë. Kështu, burime brenda policisë tregojnë se para disa javësh, dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, arritën që të thyenin perimetrin e sigurisë së aeroportit.
Personat në fjalë ishin në këmbë, pa automjet, por arritën që të kapërcenin rrethimin e pistës dhe të hynin në të. Ata u konstatuan nga “ICTS”-ja, e cila patrullon dhe pistën. Dy personat arritën deri te shkallët e avionit, por u ndaluan pa hipur në të.
Gjatë seancës së marrjes në pyetje në polici, dy personat dolën me një arsye disi të dyshimtë. Ata thanë se nuk kishin para të blinin biletë dhe se hynë në pistë për të kapur një avion dhe për të dalë jashtë vendit. Kjo ngjarje nuk është bërë e ditur më parë dhe zbulohet vetëm tre ditë pas grabitjes spektakolare. Nga kontrolli fizik ushtruar dy personave në fjalë, nuk u gjet asnjë objekt i paligjshëm.

Publikohet videoja, ja si u grabitën paratë në Rinas

Publikohet një video e plotë e grabitjes së parave në Aeroportin e Rinasit. Nga pamjet e filmuara vihet re se grabitësit janë ndalur fillimisht pranë furgonit të sigurisë, por nuk arrijnë dot ta grabisin sepse ishte me dyer të mbyllura. Më pas, ata kanë vrapuar menjëherë tek furgoni tjetër i sigurisë, të cilin e gjejnë me dyer të hapura, nga i cili mendohet se janë vjedhur më shumë se 10 milionë euro.
Videoja e publikuar ka rreth dy minuta xhirime dhe tregon se në vendngjarje kanë qenë dy makina të koncesionarit të Rinasit, TIA. Njëra nga makinat e “ICTS” ka lëvizur nga vendngjarja pa tentuar të ndalojë grabitësit apo të lajmërojë policinë.
Ndërsa makina tjetër, e stafit të aeroportit, lajmëron për ngjarjen, por nuk e ndjek makinën e grabitësve teksa ikën nga aeroporti. Grabitja që ndodhi mesditën e 30 qershorit, mund të konsiderohet si një nga grabitjet më të mëdha dhe më spektakolare në vendin tonë.
Kjo jo vetëm për shumën e grabitur të parave, se sa për shkallën e paaftësisë së gjithë mekanizmit mbrojtës së perimetrit të sigurisë në Aeroportin e Rinasit. Është bërë me dije, se paratë e grabitura, që po transportoheshin nga kompania e policisë private “Nazeri 2000”, po lëvizeshin për llogari të “Raiffesien Bank” me destinacion Vjenën.
Policia e Shtetit me anë të një deklarate ka bërë me dije se janë grabitur më pak se një milion euro, ndërsa burime nga Rinasi bënë të ditur se shuma e grabitur është më shumë se 10 milionë euro.
Në të njëjtën kohë po transferoheshin edhe paratë e një banke tjetër, në një shifër shumë më të vogël, të cilat gjendeshin në një furgon tjetër. Por grabitësit kanë qenë të mirinformuar dhe të fokusuar në grabitjen e tyre të shumës marramendëse të “Raiffeisen Bank”. Mësohet se grabitësit kanë hyrë me makinën e tyre nga një portë e jashtme e rrethimit të aeroportit, e cila të nxirrte direkt në pistën e tij.
Pasi morën thasët me valutë, ata u larguan me automjet drejt Krujës dhe në Tapizë makina e tyre u gjet e djegur. Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë të autorëve, ndërsa policia ka ndaluar punonjësit e sigurisë private të Aeroportit të Rinasit.
Edhe pse u tha se gjatë largimit të dy grabitësve ka pas të shtëna me armë nga stafi i aeroportit, videoja e publikuar, nuk dëshmon për një fakt të tillë. Dy grabitësit, siç shihet edhe në pamjet e filmuara, janë larguar krejt të qetë nga vendi i ngjarjes. Grabitja ndodhi vetëm një ditë pas shtimit të masave të sigurisë në aeroport, pas sulmeve terroriste në aeroportin e Stambollit.

Dyshimi, njëri nga grabitësit, punonjës i Aeroportit të Rinasit?

Drejtuesi i makinës tip “Benz”, që u fut në Aeroportin e Rinasit dhe kreu grabitjen e rreth 10 milionë eurove, dyshohet se është punonjës i brendshëm i aeroportit ose ish-punonjës në sektorin e kargos dhe pranë kompanisë së sigurisë.
Burime nga grupi hetimor i thanë televizionit “Klan” se, është kërkuar nga TIA një listë e plotë e punonjësve që nuk ndodheshin në shërbim në momentin e grabitjes, gjithashtu një listë tjetër me punonjësit e larguar nga puna dhe motivacionet e largimit pritet t’i dorëzohen hetuesve ditën e martë.
Shkak për dyshimet e ngritura është bërë itinerari i përshkruar dhe saktësia e treguar nga ana e drejtuesit të mjetit që, nga hyrja në derën dytësore për tek porta A, ku ndodhi grabitja dhe kthimi në një rrugë tjetër që nga pak veta dihet, e cila i ka nxjerrë autorët nga e njëjta derë duke i ruajtur nga një përballje me strukturat e sigurisë në rast evidentimi.
Në ndihmë të hetimit në pyetje janë marrë banorët e shtëpive përballë aeroportit, pasi ditën e ngjarjes një person kishte deklaruar se, mjetin tip “Benz” e kishte parë të parkuar disa orë para ngjarjes në një rrugë dytësore përballë portës nga e cila hynë autorët. Kjo zonë është bërë objekt analizimit nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Grabitja në Rinas, arrest me burg për 5 të arrestuarit për shpërdorim detyre

Gjykata e Krujës vlerësoi dje masat e sigurisë për 5 të arrestuarit e grabitjes së aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, ku pak ditë më parë u grabitën më shumë se 10 milionë euro, të cilat po transportoheshin për jashtë vendit nga një bankë e nivelit të dytë. Për Kujtim Picarin, gjykata vendosi “arrest me burg” dhe për Vangjel Nikollën, kryetar i degës teknike të aeroportit, si dhe u la në burg edhe agjenti i kompanisë “ICTS”, Fadil Jonuzaj.
E njëjta masë u caktua edhe për Arben Karafilin dhe Bledar Blloshmin. Kjo për shkak të tërheqjes nga gjykimi të gjyqtares Enkelejda Hoxha, për konflikt interesi në çështje. Kërkesa e gjyqtares do të shqyrtohet nga kryetari i gjykatës.
5 të ndaluarit, pjesë e sigurisë së aeroportit, akuzohen për shpërdorim detyre. Grabitja shokoi Tiranën, pasi ndodhi në mes të ditës, brenda pistës së aeroportit, edhe pse ky i fundit u deklarua nën masa të rrepta sigurie. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dyshohet se drejtuesi i mjetit të grabitësve në Aeroportin e Rinasit është ose ka qenë punonjës i saj.
Dyshimet kanë lindur pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe lëvizjeve të mjetit. Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar nga TIA një listë të punonjësve që atë ditë kanë qenë pushim dhe listë të ish-¬punonjësve.

Ja për çfarë akuzohen të ndaluarit

Personi nën hetim Arben Karafili, me detyrën e shefit të stacionit të kompanisë “ICTS Albania” pranë aeroportit “Nënë Tereza”. Megjithëse në detyrat e tij funksionale ky person nën hetim ka kontrollin e gjendjes së sigurisë së aeroportit, marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve që do të cenonin sigurinë e aeroportit, ky person, me mosveprim, ka lejuar ardhjen e pasojave sikurse ka qenë depërtimi i autorëve të ngjarjes me automjet në portën e BP, megjithëse ka qenë i informuar për rriskun që paraqitej në këtë pikë të perimetrit rrethues të aeroportit.
Personi nën hetim, si personi përgjegjës për monitorimin e shërbimeve në dhënien e detyrave, marrjen e raportimeve nga të gjitha shërbimet e koordinimin me hallka të tjera që sigurojnë aeroportin, nuk ka kryer asnjë veprim aktiv që do të parandalonte ardhjen e pasojave. Nuk evidentohet asnjë detyrë e dhënë e shkruar, nuk evidentohet asnjë raport me detyra konkrete, asnjë masë e dhënë me detyra ndëshkuese për punonjësit e caktuar me detyra për sigurimin e aeroportit. Personat në hetim Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, me detyrën e agjentëve të sigurisë (patrullës të “ICTS Albania”).
Rezulton që perimetri i brendshëm i aeroportit kontrollohet nga patrullat e shërbimit të kompanisë së sigurimit privat “ICTS Albania”, të cilët kryejnë patrullim me mjete shërbimi të pajisura me fenelinë, në perimetrin e aeroportit. Në momentet e ndodhjes së ngjarjes, një nga agjentët e “ICTS” (patrullë) kanë qenë personat nën hetim Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, të cilët kanë pasur për detyrë të kontrollojnë këtë perimetër për të konstatuar dhe moslejuar ndodhjen e incidenteve të ndryshme.
Rezulton se si persona përgjegjës për të kryer patrullimin dhe kontrollin vizual të pistës, të rrethimit nga pjesa e brendshme dhe të aeroportit në tërësi e për të informuar menjëherë për elementët që cenonin sigurinë e aeroportit, këta punonjës nuk ka kryer detyrat e tyre funksionale për të mbajtur në kontroll vizualisht dhe për të informuar duke lejuar ardhjen e pasojave përkatëse, nga veprimet hetimore nuk evidentohet nga ky person nën hetim, të jetë kryer ndonjë veprim aktiv për të parandaluar, për të evidentuar dhe koordinuar veprimet e personave që cenojnë sigurinë e aeroportit.
Personin në hetim Vangjel Nikolla, mban detyrën e drejtorit të Shërbimeve Aeroportuale.
Rezulton se ky person ka pasur si detyrë funksionale kontrollin e elementëve të sigurisë që ka marrë përsipër sipas kontratës, të nënshkruar me firma nënkontraktore “ICST Albania”.
Fakti që momentet e ngjarjes të ndodhura më datë 30.06.2016, ku nuk kanë funksionuar elementët e sigurisë, ngarkon me përgjegjësi personin e mësipërm.
Fakti se ngjarja kriminale e ndodhur më datë 30.06.2016 e ka fillesën e saj pikërisht në thyerjen e perimetrit të jashtëm të Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, vërteton qartë se mosmarrja e masave të mësipërme, ka lidhje shkakësore direkte në pasojën e ardhur.
Personi nën hetim Kujtim Picari, mban detyrën e shoqëruesit të vlerave monetare të një banke të nivelit të dytë.
Rezulton se Kujtim Picari ka qenë punonjës për shoqërimin e vlerave monetare i bankës “XXXX”. Ky person nën hetim ka pranuar të marrë në dorëzim, pas skanimit të vlerave monetare, furgonin e blinduar të SHPSF “Nazeri 2000”, pa shoferin e firmës së mësipërme. Gjithashtu ky person nën hetim, në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit, në kundërshtim me rregulloren, ka mbajtur të hapura dyert e mjetit, duke i dhënë mundësi autorëve të ngjarjes të futen në kasafortën e mjetit dhe të vjedhin sasinë e parave.

R.POLISI

Exit mobile version