Shefi i Zërit të Amerikës i përgjigjet Ramës!

Brenda një kohe të shkurtër, “Zëri i Amerikës”, publikoi dy investigime që tronditën opinionin shqiptarë. I pari kishte të bënte me punësimet klienteliste dhe partiake, që bëheshin në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve dhe tjetri edhe më i rëndë, hapte dosjen 339/1 të organizatës kriminale të Avdylajve,e ku nëpërmjet përgjimeve zbulohej, se në shumë zona të vendit zgjedhjet e vitit 2017 ishin blerë nga Rilindja në bashkëpunim me krimin e organizuar.
Në të dyja rastet reagimi i kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama, ka qenë i paprecedentë duke e quajtur median që njihet si përhapëse e zërit të lirë të demokracisë në mbarë botën, Zërin e Amerikës, si “media kazani”.
Ashtu siç bëri për rastin e parë, edhe për investigimin e përgjimeve të kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako me eksponentë të grupit të strukturuar kriminal të Shijakut, këtij etiketimi të Ramës i është kundërpërgjigjur shefi i seksionit të Euro-Azisë në VOA, Elez Biberaj, në një prononcim për “Shekullin”.
“Shërbimi Shqiptar i “Zërit të Amerikës”, ka ofruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme për zhvillimet në Shqipëri dhe unë qëndroj plotësisht pas integritetit dhe gjykimit të këtyre lajmeve. Shërbimi Shqiptar, me krenari vazhdon misionin e Zërit të Amerikës për të prodhuar gazetari me vlerë të jashtëzakonshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë si dhe fuqizimin e audiencës së saj me lajme dhe informacione të sakta, objektive të balancuara, në mënyrë që ata të mund të marrin vendime për të informuar”, deklaron shefi i seksionit të Euro-Azisë në VOA, Elez Bieraj.

Exit mobile version