Shefi i Krimit Ekonomik i vë gjoba bizneseve me mbrojtjen e Xhafajt

Shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Marsel Dulaj u vë gjoba biznesve deri në 1 mijë euro dhe askush nuk ndërhyn, sepse ka mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Denoncimi është bërë nga një tregtar nga Tirana, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Tregtari i shkruan Berishës se, Shefi i Krimit Ekonomik, Marsel Dulaj po zhvat bizneset, duke vënë gjoba të majme, pa të drejtë. Biznesmeni thotë se, shefi i Krimit Ekonomik është denoncuar disa herë, por askush nuk merr masa ndaj tij, sepse ka mbështetjen e ministrit Fatmir Xhafaj.
“Çunat e krimit bëjnë kërdinë ndaj bizneseve! Biznesmeni dixhital denoncon: -Famozin Marsel Dulaj, që i rrjep me gjoba dhe ryshfete! -Mbrojtjen e tij nga Xhafa i drogës! Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Z.Berisha, të uroj gjithë të mirat. Jam një tregtar që kam një dyqan telefonash tek Posta, afër tregut çam. Kam një shqetësim nga ky Marsel Dulaj, shefi i Krimit Ekonomik. Këtë Marselin u bë e disata herë që e denoncojnë për zhvatje të tregtarëve. Ai është denoncuar edhe nga tregtarët e Medresesë dhe gjithandej, por ky prapë nuk paska zot që e ndalon. Po na vjen dyqan më dyqan këtu tek Posta kush shet telefon dhe na kërcënon ose nga 1000 euro ose do ju bllokoj telefonat e vjetër që shesim. Mban dhe nja dy të tjerë nga mbrapa vetes dhe i kërkon lekët pa kurrfarë problemi. Të lutem zoti Berisha bëj diçka se ne nuk po nxjerrim dot qeranë dhe shpenzimet, aq shumë ka rënë puna jo më të mbajmë dhe shefin e Krimit Ekonomik me lekë.
Ngreni këtë problem ju lutem se nuk guxojmë të hapim dyqanet, rrimë me frikë se na kërkon faturë për telefona të përdorur dhe na i bllokon po nuk i dhamë bakshishin që kërkon. 1000 euro e ka vendos taksën. Jemi në hall dhe s’dimë ku të gjejmë zgjidhje se ky ka mbrojtje direkt nga ish-ministri Tahiri dhe nga ministri i tanishëm Xhafaj. Dhe është i paprekshëm, bën si i do qefi dhe nuk e prek njeri. Ju e keni denoncuar dhe herë tjetër dhe ministri Xhafaj nuk ka marrë asnjë masë ndaj Marsel Dulaj se si duket ato që zhvat nga tregtarët ky shefi Marsel i ndan me shefat e vet. Dhe vazhdon i qetë punën ky, gjoba bizneseve përditë”, shkruan tregtari.
Po ashtu, ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një akt korrupsioni të Bashkisë Dibër ndaj shoferëve të furgonëve me licencë për të favorizuar klientët e pushtetarëve. “Një akt korruptiv i Bashkisë Dibër. Shikoni si penalizohen shoferët e autobuzëve me licencë dhe favorizohen klientët e pushtetarëve! Lexoni mesazhin e shoferit dixhital dhe shihni video protestën e tyre!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Shoferët e furgonëve të transportit ndërqytetas në Dibër kanë bllokuar sot terminalin ku nisen autobuzët drejt Tiranës. Ato pretendojnë se janë të licencuar dhe se licencat e tyre janë të vlefshme deri në vitin 2021. Edhe pse paguajnë taksat, tatimet dhe sigurimin e mjeteve, Bashkia Dibër ka futur në linjë një tjetër shoqëri. Shoferët akuzojnë se kjo shoqëri është klienteliste dhe se është futur në linjë në vitin 2015-2016, ndërsa licenca daton në vitin 2012 dhe është lëshuar nga kryetari i Bashkisë, Ethem Fida. Në fakt Ethem Fida është komanduar kryetar Bashkie në vitin 2015, çka tregon se kjo licencë është e falsifikuar. Prej një viti kjo shoqëri ka caktuar orare që përplasen me oraret e furgonëve të tjerë. Kjo shoqëri që është licencuar nga Bashkia Dibër në mënyrë klienteliste ka lënë zbuluar dhe nuk u ofron shërbimin dibranëve.
Mungojnë linjat në oraret e pasdites, çka bën që pasagjerët të mbeten hoteleve të Tiranës ose të paguajnë bileta të kripura deri në 10 mijë lekë. Kjo shoqëri nuk ka ekzistuar, por ka mbledhur furgonë dhe në këmbim të 50 mijë lekëve në muaj u jep të drejtën e licencës. Në fakt furgonët e kësaj shoqërie janë jashtë të gjitha kushteve dhe kritereve të kërkuara nga Ministria e Transporteve, ndërsa furgonët e lënë pa punë janë vitprodhimi pas 2010. Mund të shihni foton e licencës dhe videon e protestës. Ju lutem denoncojeni si rast, sepse mediat nuk e japin protestën tonë”, shkruan shoferi.

Artikulli paraprakNënkomisari i Policisë, drogë drejt Italisë që prej vitit 2014
Artikulli tjetërDhjetor ’90, nga zgjedhja e Azemit tek revolta e madhe