Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka reaguar për hapjen e procedurave për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës. Me anë të një posti në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Shehaj shprehet se kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri po ia japin me koncesion për 20 vite një privati TEC-in, i cili iu ka kushtuar shqiptarëve 120 milionë euro.
Sipas tij, shefi i qeverisë ka përjashtuar kompanitë e huaja. Gjithashtu Shehaj paralajmëron se me 15 janar do të bëhet publik se cili nga klientët e Ramës do ta marrë këtë.
“Për koncesionin e TEC-it te Vlorës Rama praktikisht ka përjashtuar kompanitë e huaja. Në orët e fundit të vitit 2018, edhe pse i larguar nga ministër, Damian Gjiknuri ka firmosur hapjen e procedurave për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës.
Me zero transparence, Rama dhe Gjiknuri kanë vendosur që TEC-in e Vlorës, i cili ka kushtuar deri tani mbi 120 milionë euro me paratë e shqiptarëve, për t’u ndërtuar e mirëmbajtur, t’ja japin në pronësi për 20 vjet një privati.
Detajet e këtij koncensioni do të mësohen në ditët e ardhshme, por ajo që dihet sot është se qeveria kërkon që më datën 15 janar, të gjithë të interesuarit duhet të marrin pjesë në një vizitë në TEC në Vlorë, e cila është e detyrueshme për të marrë pjesë në tender.
Se cila kompani e huaj mund të informohet, vlerësojë dhe vendosë brenda dy javësh në periudhë festash të dërgojë përfaqësues në Vlorë të Shqipërisë, e dinë vetëm Rama dhe Gjiknuri.
Është një histori që përsëritet: pasuritë e vendit, pronat publike dhe paratë publike u jepen klientëve të lidhur me qeverinë, gjoja me “koncesion”, duke rritur me disa fish koston e investimit. Në 15 janar do marrim vesh se cili nga klientët e Edi Ramës do ta marrë këtë dhuratë dhe do të ndajë paratë me “bamirësin”, shkruan ai.