Shehi i përvishet Ramës: Po ha të gjithë Shqipërinë, fukarenjtë me kos

Deputeti dhe kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka marrë fjalën sot në seancën plenare për të folur për ndihmën ekonomike duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për abuzime.
Ai tha se ndihma ekonomike ka qenë një kafshatë bukë për fukarenjtë por se tani qeveria nuk do t’ia dijë fare për fukarenjtë. Ata, sipas Shehit hanë çdo natë fukarallëkun e tyre, një pjatë supë e një tas kos, ndërsa qeveria me në krye kryeministrin Rama hanë Shqipërinë nga një copë.
FJALIMI I DASH SHEHIT
Ndihma ekonomike për të luftuar varfërinë këtu është një gjë që ka filluar 25 vite më parë që në vitin 1993 kur është bërë ligji për asistencën sociale dhe është një histori e gjatë dhe shumë e dhimbshme për Shqipërinë sepse asnjëherë nuk është ngritur në nivelin e një shërbimi social, e një ndihme siç duhet, siç e kanë vendet e tjera të Europës. Gjithnjë ka qenë një çap bukë për fukarenjtë. Ky është një realitet i vjetër. Nuk po akuzojmë qeverinë e sotme se e pruri ajo këtë lloj situate por po themi që kjo që ka bërë këtë radhë është teatri klasik i kësaj qeverie që shkon t’i mbledhë paratë e elektrikut fukarenjve, paratë e ujësjellësit me reforma me aksione, aksionit për të zbatuar ligjin, ky zotëria që është kryeministër i thotë reformë. Dhe thotë ne kemi filluar një reformë për këtë, një reformë për atë, se ku është reforma këtu. Këtu s’ka asgjë. Kjo është një gjë për të qeshur se ligjet janë po ato, vendimet e qeverisë janë po ato dhe mjafton të zbatosh ligjin me korrektësi dhe jemi në rregull të gjithë. Që ndihma ekonomike në Shqipëri është për fukarenjtë për këtë jemi të gjithë të bindur, në kuptimin që është kaq e vogël saqë jep vetëm bukë thatë, as djathë nuk jep më. Që ka qenë edhe më e keqe edhe për këtë jemi të sigurt. Mirëpo e gjithë kjo shifër more zotëri rrotullohet në rreth 40 milionë euro në vit, kaq është ndihma ekonomike e Shqipërisë dhe ky shtet abuzon në mënyrë të paturpshme. Viti për vit 50-60 milionë euro për koncesione. Këtu ka vetëm një kompani vjet s’ka paguar 70 milionë euro.

Dhe ky do të mbledhë këto lekë edhe i quan për eficencë të administratës, që këto kemi kapur, këta abuzuesit e mëdhenj që qenkan mbrapa kësaj skeme. Që këtu abuzohet, kjo nuk është gjë e re. Por që kjo qeveri s’ka seriozitetin minimal për t’u marrë me këtë temë është kaq e dukshme, që kur prishi institucionin që u ngrit për herë të parë, ministrinë e Punës dhe Asistencës Sociale. Për këtë punë u ngrit. S’ka pasur Shqipëria ministri pune në kohën e Enver Hoxhës, s’kishte nevojë as për fukarenjtë t’i trajtoje se ishin të gjithë fukarenj. Kjo të vetmen strukturë që kishte për të ndarë dhe paratë e fukarenjve, këta e prishën. Pse? Sepse në mendjen e tyre kjo është një temë pa rëndësi, është një temë që nuk bie para. Para bien investitorët, inceneratorët, koncesionet, skema 1 euro për metër katrorë. Fukarenjtë nuk bien para. Atëherë ta prishim edhe këtë strukturë, punë e madhe fort se u bë qameti. Një copë e dorëzojmë nga Ministria e Shëndetësisë që sot s’po dinë ça të bëjnë, një pjesë tjetër, atë pjesën e punës që duhet të rigjeneronte të varfrit, formim profesional e riciklim në tregun ep unës, e kanë çuar tek Ministria e Financave në një cep, në një zyrë që s’ka për t’i rënë në mend as ministrit. Kjo tregon që kjo qeveri se ka pasur ndonjë herë në mendje punën e fukarenjve. Unë nuk do merrem fare sa janë shifrat. Unë do i thosha se e pashë dje zotin kryeministër, më vjen keq që nuk është këtu që po shkonte në Elbasan me tam-tame të madhe, me 200 të tjerë nga mbrapa. A i pa zoti kryeministër që nga ajo ura e metalurgjisë e deri te banka që i kanë dalë me qindra fukarenj që shesin ballokume tek dera e shtëpisë. Nuk dalin për ditë vere por kanë 1 muaj e ca përpara.

Ça mendon ti se fiton nga ballokumet dhe kanë qit dhe ca goca të reja është për turp, kjo është varfëria, atë të shihte kryeministri dje në Elbasan. Mos të tregojë përralla të kota. Në Elbasan do të thyhet varfëria kur të mos ketë njerëz që shesin ballokume. Se s’ka turp më të madh, qyteti i Normales, qyteti i Xhuvanëve del e shet ballokume atje se është pa bukë. Kjo është varfëria që i ka rënë Shqipërisë, jo këto përrallat që tregon ky këtu. Prandaj unë do ju thoja, që në qoftë se jeni, ua kam thënë edhe kur ishte buxheti i shtetit këtu, të gatshëm të bashkëpunojmë për ndonjë skemë kundër varfërisë. Se varfëria nuk thyhet me këto muhabete të kota. Thyhet me punë, me investime edhe me skema të cilat duan para të tjera që mund t’i heqim nga blloqe të tjera që po shpenzohen kot. Mjafton të jemi pak më të kujdesshëm me buxhetin e shtetit, të kursehen paratë që po shpërdorohen kot për t’iu rishprëndarë këtyre të varfërve pak më shumë. Sepse ky grup njerëzish që po qeveris sot Shqipërinë mendon vetëm për paratë e veta. Mendon që të varfërit janë të pazotë, dhe këta janë gjenitë e Shqipërisë dhe mund të bëjnë miliona. Prandaj të gjithë janë drejtuar drejt parave. Fukarenjtë e Shqipërisë, në darkë vënë sofrabezin dhe vënë pjatën e supës dhe tasin e kosit. Këta zotërinjtë këtu, ky i pari vënë hartën e Shqipërisë për darkë dhe i vënë gishtin atje, ka tepruar kjo tokë ta bëjmë hotel, ka tepruar dhe kjo ta bëjmë kullë, ky pusi t’ja japim këtij. Kurse fukarenjtë vënë sofrabezin për të ngrënë fukarallëkun e vet për darkë. Këta vënë hartën e Shqipërisë për të ngrënë nga një copë për natë. Ndaj Shqipëria ka fukarallëk.

Exit mobile version