Deputetit Dashamir Shehin u shpreh se, seanca plenare e së enjtes ishte një turp për të cilin mban përgjegjësi vetëm Edi Rama. I ftuar ne emisionin “Kjo Javë” në News24, kreu i LZHK-së, komentoi batutat e shëmtuara e vulgare duke i cilësuar si një metodë të Ramës për të spostuar vëmendjen nga problemet qe realisht shqetësojnë vendin.
“Nuk është hera e parë që ndodh, por është agravuar situata ka precipituar në një mënyrë që është derivat i një situate që ka ardhur duke u majisur gjatë gjithë kohës, sic thotë populli ‘zullimi këputet duke u tras, peri këputet duke u hollu, po zullumi është trashur tani’, u shpreh Shehi.
“Rama vetë me talljen e vazhdueshme, me ironinë permanente i ka sulmuar të gjithë, nuk besoj se ka objektiv Berishën, sepse Berisha i përgjigjet nga kjo pikëpamje, që për mua edhe Berisha bën gabim s’ka pse të zbresim ne në këto situata. Por Berisha është njeriu opozitar, dhe përgjegjësinë e ka individuale, ndërsa ky është kryeministër, na përfaqëson në një farë mënyre edhe ne të tjerët”, vijoi Sheshi.
Kreu i LZHK tha më tej se Rama solli Berishën në fokus të akuzave për të shpërqendruar vëmendje, për të bërë një zhurmë më të madhe se sa zullimi që ka bërë vetë një natë më parë.
“Ky e di fort mirë që po ta provokosh Berishën, mediat do të merren me këtë, sic po merremi në fakt, ne po merremi tani me sherrin Rama-Berisha”, theksoi Dashamir Shehi, i cili përmes batutave komentoi edhe deklaratën e Ramës se, Berisha nuk mund të shkelë dot në Shtetet e Bashkuara se i është refuzuar viza.
“U pa fort mirë se ai e kalon oqeanin edhe me not. U bë zyrtare, DASH solli një letër që nuk është e vërtetë. Këtu është puna të bëjmë një zhurmë të madhe që të mbulojmë këto zullume që po bën ky njeri”, tha më tej Shehi.
Shehi tregoi edhe arsyen se pse kreu i qeverisë Edi Rama, e ka quajtur atë pijanec në një prej seancave të mëparshme plenare.
“Rama merret me çdo njeri, mjafton ta çposh aty ku i djeg. Përshembull unë i thash që ti po e shet Shqipërinë te Turqia, dhe ky është një realitet shumë i trishtueshëm, do kujtohen shqiptarët seç po ndodh në kurriz tyre sot. Dhe ky bëri zhurmë, që ky që po e thotë këtë gjë është një pijanec, është një rrugaç. Ore unë po të pyes çfarë bën me Turqinë, mos u merr me këto pisllëqe rruge. Nuk përgjigjet për këtë, se është i korruptuar kokë e këmbë dhe merret akuzon”, tha Shehi.
“Ky e ka pranu vetë pjesën e karagjozit, ky bën komikun e groteskun nëpër televizione, me shpresën se njerëzit do të harrojnë atë që është e vërtetë. Sepse ky duhet të akuzohet jo sepse vishet me brekushe e atlete, jo sepse foli me atë fjalor në parlament, ky duhet akuzuar se po vjedh paratë e shqiptarëve.’ tha Shehi, ndërsa theksoi se vetë ka dashur ti kthehet Ramës me një njëjtin fjalor, por nuk e ka bërë për të mos prishur imazhin e tij, sikundër e u shpreh në një betejë me një aventurier.
Me tone të ashpra Shehi komentoi edhe duartrokitjet që pasojnë fjalimin e kryeministrit Rama në parlament nga deputetë të maxhorancës, ndërsa e quajtën Ramën producent të tragjikomedisë parlamentare.