Shehu: Dorëheqja pason eksodin masiv të mjekëve

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka reaguar pas dorëheqjes së 8 mjekëve të Urgjencës së QSUT-së. Në një status në “Facebook”, Shehu mjek me profesion thotë se, kjo është një ngjarje e rëndë jo vetëm për qendrën universitare, por për të gjithë sistemin shëndetësor. Shehu shkruan se, ky akt konfirmon problemet e shëndetësisë. Mjekët Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Petrit Vargu, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj firmosën sot një letër dorëheqjeje, duke e arsyetuar se nuk kishin kushte pune dhe staf mjekësor, ndërsa ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar në spital. Mjekët kanë njoftuar për tërheqjen 30 ditë përpara sipas Kodit të Punës.
“Mjekë e personel i Urgjencës së QSUT japin dorëheqjen. Një ngjarje e rëndë jo vetëm për atë qendër universitare kjo, por për të gjithë sistemin tonë shëndetësor. Fakti që kolegë ndërmarrin një hap të tillë vetëm se konfirmon problemet e mëdha të shëndetësisë sonë.
Pa asnjë dyshim nuk funksionojnë mekanizmat kryesore të sistemit, qendrore apo periferike këto, duke vënë në vështirësi personelin apo duke shkarkuar të gjithë peshën mbi QSUT. Për të mos folur këtu për mungesat e mëdha në teknologji e materiale konsumi, për rrogat minimale përballë një shërbimi kaq të vështirë, siç është ai mjekësor në përgjithësi e i urgjencës në veçanti. Nga ana tjetër drejtuesit shtetërorë kërkojnë të shkarkojnë të gjithë përgjegjësinë e presionin publik padrejtësisht mbi personelin shëndetësor, që veçse kërkon të bëjë më të mirën e mundshme. Të tilla situata e probleme janë në themel të eksodit masiv të mjekëve, të kërkesave e protestave të tyre të drejta, të cilësisë së shërbimit të ofruar, shumë larg parametrave europianë ky”, shprehet Shehu.

Artikulli paraprakLSI: Rama të zgjidhë kërkesat, në të kundërt të dorëhiqet
Artikulli tjetërTCH nxjerr bllof Edi Ramën: Dëmet nga përmbytjet e 2017 shumë më të mëdha se në 2015