Shehu: Infrastruktura dhe turizmi prioritet për hapjen e vendeve të punes në Lurë

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu i shoqëruar nga deputetët Arben Imami dhe Gent Strazimiri u takua me banorë të Lurës.  Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi i turizmit janë prioritetet e shpalosura nga zoti Shehu. Që vitin e parë, theksoi zoti Shehu do të nis rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe investimet për furnizimin me ujë të pijshëm ndërsa në planin afatgjatë zhvillimi do të bëhet i planifikuar dhe për këtë do të hartohet plani i zhvillimit urban, theksoi Sherefedin Shehu.

“Që të vijnë investitorët këtu në radhë të parë duhet rruga. Rruga  që vjen nga Rrësheni dhe rruga nga Përlati, ju garantoj që do të fillojë brenda vitit. Dhe ju garantoj që vitin tjetër  deri në hyrje të urës së Lushës, siç i themi ne, do të fillojë asfaltimi dhe gradualisht edhe në krahun e Dibrës do të fillojë lidhja me asfaltin. Do të ketë një plan të zhvillimit urban. Lura si një nga zonat më të bukura të Shqipërisë ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.

Krahas infrastrukturës zoti Shehu theksoi se ka nisur diskutimet me institucione ndërkombëtare për të investuar në shtëpitë karakteristike të Lurës për t’i kthyer në destinacione mikpritëse për turistët. Sherefedin Shehu: Lura ka edhe traditën familjare, kështu që këto kulla meritojnë që të jenë mikpritëse. Unë kam vënë kontaktet që tani me Agjencinë Gjermane për Zhvillim, ajo ka një program për turizmin familjar që ka filluar nga zona e Korabit, do ta sjellim edhe këtu në Lurë. Turizmi theksoi Shehu është një mundësi e mirë për zhvillimin e zonës dhe punësimin”, tha Shehu.

Paloka: Dibranët as nuk shiten as nuk blihen

Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht PD dhe kreu i Shtabit të fushatës në Dibër, Edi Paloka, ka kritikuar pjesmarrjen në fushatën e kandidatit të së majtës të Ministrit Gjiknuri. Duke drejtuar një seri pyetjesh në adresë të tij, Paloka aludon për përdorim të pushtetit për blerje vote. Mëgjithatë ai shpreh bindjen se dibranët as nuk shiten as nuk blihen dhe sipas Palokës do ta tregojnë më 11 shtator duke votuar Sherefedin Shehun. “Çfarë lidhje ka Damian Gjiknuri me Dibrën? Gjobat e energjisë?! Prerjen e dritave për ata që nuk paguajnë dot?! Faturat abuzive të energjisë që po u rrjepin edhe qindarkën e fundit?! Mungesën e energjisë në pjesën më të madhe të Dibrës, apo kërcënimin, energji në këmbim të votës?!

Deputetët e Partisë Demokratike janë atje në respekt të qytetarëve dibranë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Janë atje në respekt të traditave dhe qytetarisë Dibrane ndryshe nga rilindja që kërkon ta lërë Dibrën e dibranët peng të mafias, që së fundmi ka zbarkuar në Dibër me bekimin e Edi Ramës. E gjithë Dibra e di që Muharemi asnjë synetllik nuk bën dot më pa marrë leje tek mafja që e ka kapur për veshi, e jo më të drejtojë një bashki. Të gjithë ramët, i madhi dhe i vogli, e dinë që Dibra ua ka vënë vizën, ndaj kanë sjellë çdo bandit e kriminel për t’u marrë votën. Por Dibranët as nuk shiten as nuk blihen. Këtë do t’ia tregojnë më 11 Shtator duke votuar Sherefedin Shehun” thuhet në reagimin e Palokës.

 

Exit mobile version