Nga Tritan SHEHU
Keqmenaxhimi i epidemisë dhe korupsioni me të i kushton deri më sot shqiptarëve mbi 12 mijë humbje jete, shëndet dhe qindra miliona euro nga xhepi! Një përgjigje për “trumpetat” e suksesit të qeverisë
Humbjet e jetëve: Vdekjet shtesë në periudhën shkurt 2020 – prill 2021 janë mbi 12 mijë për Shqipërinë. Jemi nga vendet me vdekje shtesë ndër më të lartat në botë. Kjo ka ndodhur kur realisht në periudhat e “mbylljeve” kishte një ulje të ndjeshme të aksidenteve, që zënë vendin e tretë të vdekjeve, traumave në punë etj. Pra, këto i dedikohen Covid.
Pasojat shëndetësore mbas Covid: Jemi ndër vendet e vetme në Europë ku askush nuk e di sa e si janë pasojat shëndetësore të qytetarëve mbas Covid. Po kështu jemi ndër vendet e pakta që nuk ka asnjë klinikë apo strukturë shëndetësore polivalente, qoftë dhe ambulatore, për të trajtuar këto pasoja, të shpeshta e serioze, rimbursuar qytetarët e ekonominë etj.
Humbjet financiare të qytetarëve: Kalkulohen minimalisht rreth 150 milionë euro shpenzimet nga xhepi të qytetarëve për mjekimin ambulator, për pagesat e larta në spitalet private apo për të siguruar medikamente të veçanta për përdorim në spitalet publike.
Në një kohë që shpenzimet nga xhepi i qytetarëve të mjekuar ambulatorisht llogaritan mesatarisht 1500 euro për rast, nuk pati asnjë rimbursim të tyre nga shteti.
Qëllimisht u mbajtën të mbyllura spitalet periferike duke i devijuar pacientët drejt strukturave private me çmime stratosferike, pa asnjë rimbursim, kontroll apo “tavan” nga shteti, të domosdoshme këto veçanërisht në kushtet e pandemisë.
Qëllimisht nuk u lejua importi legal nëpërmjet vendosjes në listën e barnave të shumë antiviraleve që përdoren në botë për t’u futur kontrabandë në Shqipëri me fitime të larta për keqbërësit e shtetarët e kompromentuar.
Qëllimisht nuk u liberalizua tregu i testeve Covid, të shpejta apo PCR, vetëm për të krijuar monopole me përfitime të mëdha, ndërsa qytetarët paguanin e paguajnë shumë shtrenjtë.
Edhe vaksinat, që u ofrohen sot shqiptarëve janë shumica të pasigurta, të paçertifikuara dhe në sasi shumë nën mesataren europiane. Mund të renditësh pafundësisht të tilla argumente, që veçse flasin për keqmenaxhimin me pasoja shumë të rënda të kësaj epidemie në vazhdim, nga Rama&Co.