Shqiptaro – amerikani Bilal Shehu, i cili u akuzua tre vjet më parë se kishte përdorur para të marra nga jashtë Amerikës për të siguruar një mundësi për fotografi mes Edi Ramës, në atë kohë, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe Barack Obama, Presidenti amerikan në fushatë për rizgjedhje, pranoi fajësinë e tij në një gjykatë federale në Nju Jork, Nju Xhersi në SHBA dhe pritet të dënohet, njoftoi agjencia “Reuters”.
Sipas “Reuters” dhe mediave të tjera amerikane, Shehu pranoi fajësinë duke deklaruar se në shtator 2012, ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para duhej të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës.
Aktakuza nuk e përmend emrin e financuesit të huaj të këtij operacioni të paligjshëm në SHBA, por “Reuters” thotë se personi që përfitoi nga financimi qe Edi Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë.
“Një shofer limuzine nga Nju Xhersi pranoi fajin të mërkurën se ndihmoi në transferimin e 80 mijë dollarëve kontributeve nga jashtë për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012 në mënyrë që një nënshtetas i huaj të mund të merrte pjesë në një aktivitet fushate”, shkruan “Reuters”.
Por në vitin 2013, një kongresmene republikane e identifikoi ngjarjen dhe bëri thirrje për hetime mbi blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për një aktivitet për mbledhje fondesh në San Francisko në tetor 2012.
“Në aktivitetin e tetorit 2012, Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Obamën”, shkruan “Reuters”.
Kongresmenia Dana Rohrabacher e Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zhgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër.
Prokurorët thanë se biznesmeni Shehu, banor në Nju Xhersi, shkoi në San Francisko dhe u përpoq të hyjë në aktivitetin për grumbullimin e fondeve me nënshtetasin e huaj, por këtij të fundit iu refuzua hyrja. Gjithsesi, nënshtetasit të huaj, (Ramës) iu dha mundësia të fotografohej me Obamën.
“Duke pranuar fajin sot, z. Shehu pranoi përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe shpreh pendesë të thellë për veprimet e tij”, deklaroi avokati Alan Abramson sipas “Reuters”. Stafi i Obamës nuk është vënë nën akuzë për këtë ngjarje, pasi sipas prokurorëve, ka bashkëpunuar në tërësi me hetimin dhe duket se nuk ka pasur dijeni se paratë e dhëna nga Shehu kishin në fakt origjinë të huaj.
Në Shtetet e Bashkuara nuk lejohet që nënshtetas të huaj të bëjnë donacione në fushatat elektorale të këtij vendi për shkak të dëmeve që mund të sjellin para të tilla për demokracinë.
Gjithsesi, ligjet amerikane lejojnë që qeveritë apo kompanitë e huaja të paguajnë lobues në SHBA, ndërsa pagesat e lobuesve dhe kontratat janë të detyrueshme të deklarohen sipas Aktit për Agjenturën e Huaj.
Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve ka njoftuar, dje, se qytetari amerikan, me origjinë shqiptare, Bilal Shehu ka pranuar akuzat e Prokurorisë së Nju Xhersit se ka ndihmuar në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme për futjen e 80 mijë dollarëve nga burime të huaja si kontribut për fushatën elektorale presidenciale amerikane. Ligji elektoral i SHBA-ve i ndalon nënshtetasit e huaj të kontribojnë direkt apo indirekt në zgjedhjet amerikane të të gjitha niveleve.
Foto e Ramës me Obamën u hodh në publik gjoja nga burime të palidhura me Zotin Rama në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, me komentin që zoti Rama kishte lidhje me zotin Obama, por ai ishte shumë modest dhe i ndershëm ndaj nuk i tregonte vetë këto lidhje, duke botuar vetë fotografitë e tij me zotin Obama.
Deklarata e Prokurorisë amerikane pohon se zoti Shehu ka pranuar se në shtator 2012, ai mori në llogarinë e tij bankare shumën prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj dhe ja dhuroi atë fushatës së Presidentit Obama, me qëllim që një qytetar i huaj të merrte pjesë në një aktivitet të fushatës presidenciale më 8 tetor 2012 në San Françisko, duke fshehur, kështu origjinën e vërtetë të parave.
Sipas Prokurorisë, zoti Shehu ka pranuar se në fillim të tetorit 2012, ai udhëtoi për në San Françisko me qëllim që të merrte pjesë në aktivitetin e fushatës së bashku me nënshtetasin e huaj, të cilit ju mohua hyrja në aktivitet, por i cili u lejua, sidoqoftë, të bënte një fotografi me Presidentin Obama, ndërsa ky i fundit po hynte në sallë.
Hetimi i Prokurorisë amerikane dëshmon se, përmes mikut të tij Bilal Shehu, zoti Rama është përfshirë në një veprim të qëllimshëm dhe të vetëdijshëm për të shkelur ligjet amerikane. Edhe pse nuk ka qenë pjesë e hetimit amerikan, është me interes të hetohet origjina e këtyre parave të paguara nga zoti Rama.
Veprimi i zotit Rama do të përbënte një skandal të vërtetë politik në çdo vend të botës. Pa asnjë dyshim informacioni i ardhur nga Prokuroria amerikane do të çonte në hapjen e hetimeve vendase për origjinën e parave të dhuruara, gjë që nuk ka qenë objekt i hetimit amerikan. Me shumë gjasa, paratë kanë ardhur nga burime joformale dhe transferta e tyre ka shkelur ligje të tjera veç atyre amerikane.
Shehu në vend të gruas mori Ramën
Shehu, i cili zotëron një kompani limuzinash në Xhersi e kreu donacionin për t’i mundësuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në atë kohë ishte udhëheqës i opozitës, të merrte pjesë në një takim për mbledhje fondesh për Obamën, në 8 tetor të vitit 2012 në San Francisko. Në event ishte i pranishëm edhe Presidenti Barack Obama, çka do t’i mundësonte Edi Ramës një takim me Presidentin amerikan, të cilin do ta shiste politikisht në Shqipëri.
Por pavarësisht donacionit të majmë, Edi Rama, u refuzua të merrte pjesë në darkë. Presidenti amerikan Barack Obama pranoi vetëm që të bënte një foto me kryeministrin shqiptar, i cili në atë kohë ishte lider i opozitës.
Edhe pse gjykata amerikane dhe avokati i zotit Shehu kanë refuzuar të publikojnë emrin e zyrtarit të lartë shqiptar, mediat amerikanë saktësojnë se ai është Edi Rama. (http://www.northjersey.com/neës/paramus-man-admits-to-violating-federal-election-laë-during-obama-s-2012-reelection-campaign-1.1623602)
Zyrtarisht Shehu duhet të shkonte në atë takim me bashkëshorten e tij, por në vend të bashkëshores, Shehu është paraqitur në krah me Ramën.
Ky është një skandal i paprecedentë ku një politikan i lartë kryen donacion të paligjshëm në zgjedhjet amerikane. Por mister mbetet se ku i gjeti kryeministri i Shqipërisë 80 mijë dollarët, të cilat u derdhën si donacion në fushatën për rizgjedhjen e presidentit amerikan. Përveç faktit që ky është një veprim i paligjshëm, ka edhe dyshime të tjera, nëse a kanë qenë këto para nga burime të ligjshme, apo janë të ardhura me burime korrupsionin apo aktivitetet e tjera të jashtëligjshme.