Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, duket se i ka hapur telashe vetes, pas një deklarate të ditëve të fundit. Komentet e tij mbi Pep Guardiolën dhe Manchester City, i kanë acaruar kampionët e Premier League. Duke folur në një konferencë për shtyp në Mynih, Hoeness tha:
“Miku im, Pep, më tregoi se çfarë ndodh, kur ai dëshiron një lojtar, që kushton 100 milionë euro. Ai mbledh disa video të këtij lojtari dhe fluturon për ta parë edhe sheiku. Atje konsumohet një vakt i pasur, gjatë të cilit shihen videot dhe sheiku bën gati paratë (e nevojshme për të përfunduar nënshkrimin). Ditën tjetër sheiku hap pak rubinetin e gazit (rrit çmimin) dhe i rikuperon direkt paratë”, – tha njëshi i klubit bavarez.
Këto fjalë duket se kanë zemëruar punëdhënësit e rinj të trajnerit katalanas. Sipas “Mirror”, drejtuesit e Manchester City kanë kërkuar nga presidenti i bavarezëve që të kërkojë falje, pasi ata i shohin komentet e tij si një goditje për mënyrën se si bëjnë biznes.
Një burim nga “qytetarët” i tha kësaj mediaje angleze: “Kjo ishte vërejtje e një egoisti të vetëkënaqur dhe arrogant. Ne jemi të shqetësuar, gjithashtu, sepse mund të ketë elementë të prishjes së imazhit në atë që ka thënë Hoeness”.
Çështja mendohet të ketë kaluar edhe në tavolinën e punës së ekipit ligjor të Manchester City, ndoshta për të hapur një çështje gjyqësore, nëse nga drejtuesi i “Allianz Arena” nuk mbërrin kërkim-falja publike.