Sheikët kërkojnë të “shpëtojnë” Muçin, ja prapaskenat me ofertat për sulmuesin

Ernest Muçi është në qendër të merkatos në Turqi. Lajmet për sulmuesin e Kombëtares shqiptare nuk kanë të mbaruar dhe në orët e fundit kanë dalë të reja të tjera.

Thuhet se ka interes nga Arabia Saudite, teksa emri i skuadrës nuk bëhet ende i ditur, por fantazisti kërkohet të merret në huazim me të drejtën e blerjes. Beshiktashi shpenzoi 10 milionë euro dhe në gjysmë sezoni, Muçi arriti të shënonte 4 gola në 17 ndeshje.

Kështu drejtuesit do të kërkonin minimalisht 15 milionë euro nga shitja e tij, por edhe kjo është një dilemë, pasi më mirë do të preferohej një huazim i cili mund t’i rrisë edhe më shumë vlerën Ernestit dhe kështu Beshiktashi do të përfitonte më shumë nëse shitja bëhet më vonë.

Nuk është vetëm skenari i Arabisë Saudite, një kampionat që po tërheq shumë lojtarë të njohur, por gjithashtu edhe nga kampionati turk, për Muçin kanë shprehur interes disa klube të Superligës si Bashakshehiri, Ejupsori, Bodrum FK dhe Rizespori.

Këto klube i ofrojnë vendin e titullarit Ernest Muçit dhe kërkojnë të përfitojnë një huazim nga Beshiktashi, ku trajneri Xhovani Van Bronkorst nuk e sheh si pjesë të formacionit shqiptarin. Si Beshiktashi ashtu edhe Muçi thuhet se do të shqyrtojnë ofertat dhe mund të ketë zhvillime të rëndësishme në ditët në vijim.

Artikulli paraprakI mori 10 mijë euro pronarit të një lokali duke e shantazhuar, GJKKO merr vendim për shefin e anti-drogës në Durrës
Artikulli tjetër“I bënë gjilpëra dhe e ulën tek stolat”/ Vdekja e 61-vjeçares, flet i biri: Mjekët e përcollën në shtëpi! Do t’i prisnin tortën e ditëlindjes mbesat, por sa hyri brenda në banesë u këput dhe…