Gjatë takimit me banorët e Tiranës në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit, kandidati për bashkinë e Tiranës në radhët e grupimit politik të Enkelejd Alibeajt në Partinë Demokratike, Roland Bejko u ka premtuar banorëve të zonës së ‘Ali Demit’ në kryeqytet se nëse vjen në krye të Bashkisë ai do të anulojë projektvendimin për prishjen e banesave mbi 50-vjeçare që paraqesin rrezik.
Sipas Bejkos, ky projektvendim ka një qëllim të vetëm, që Erion Veliaj dhe oligarkët e tij të ndërtojnë kulla në Tiranë.
“Kjo nuk është as më shumë e as më pak, një skemë e oligarkëve, për të prishur banesat e qytetarëve pasi ju prishën hapësirat publike.
Kush vjen këtu te lagja juaj, shikon që ka disa hapësira që kanë ngelur që nga koha e komunizmit dhe unë besoj se ata duhen ti zënë.
Prandaj ata duhet që të prishin banesat tuaja dhe të bëjnë kullat e larta, pasi ka disa standarde që për të bërë një kullë duhet sipërfaqe e madhe poshtë. Për të justifikuar zonën e gjelbër.
Me fitoren time nëse qytetarët më votojnë, do të iki kjo frikë, jo se kryetari i bashkisë do bllokojë parlamentarin ose qeverisë, por kryetari i bashkisë ka fuqi, që ti çojë qytetarët në këmbë, që ti çojë në këmbë kur abuzohet”, u shpreh Bejko.
Roland Bejko sulmoi edhe Ramën, Berishën e Metën, të cilët sipas tij ndajnë pushtetin me njëri- tjetrin pavarësisht përplasjeve politike.
“S’ka ndryshim mes Ramës, Metës dhe Berishës, ai posteri është treguesi më i mirë që janë bashkë.
Nuk ndahet nga Berisha dhe Meta, se me ata qëndron sa të dojë në pushtet. Vijën për të bërë revolucion, parkojnë makina që u kushtojnë nga 100 mijë euro dhe ju bashkohen më pas atyre që vijnë nga rrethet me një sandiuç të paguar, ose me autobusin e paguar.
Rama nuk ndahet dot nga ata. Me ata e fiton pushtetin, sa herë të dojë. Ata ndajnë lejet e ndërtimeve.
E kanë marrë Tiranën, e kanë ndarë në parcela, ditën bëjnë sikur zihen për demokracinë, e të varfrit dhe natën bëjmë kompromise të Kodra e Diellit, ku banon Erion Veliaj”, përfundoi Bejko.