Shembja e urës Francis Scott Key të Baltimores, pasi u godit nga anija e mallrave DALI, mund të çojë në pagesën më të madhe të sigurimit detar ndonjëherë, tha kryetari i gjigantit të sigurimeve Lloyd’s të Londrës.
Bruce Carnegie-Brown tha se ai priste që siguruesit të pësonin humbje shumë miliarda dollarëshe pas katastrofës, e cila rezultoi në vdekjen e të paktën dy personave si edhe katër të tjerëve të zhdukur, të supozuar të vdekur.
Të martën, më 26 mars, ura 1.5 milje në qytetin Maryland u shemb pasi një anije me kontejnerë që po shkonte për në Sri Lanka, goditi një nga kolonat e saj prej betoni.
Mbetjet e betonit dhe hekurit nw det kanë bllokuar korsitë e transportit detar në lumin Patapsco dhe kanë detyruar mbylljen e pacaktuar të Portit të Baltimores, një nga portet më të ngarkuara në bregun lindor të SHBA.
Duke folur për Reuters, Carnegie-Brown tha se ishte shumë herët për të vendosur një shifër mbi humbjet e pritshme, por ai do të ishte shumë i befasuar nëse kjo nuk do të rezultonte në humbje shumë miliarda paund për siguruesit.
“Tragjedia kishte kapacitetin të bëhej humbja më e madhe e vetme e sigurimit detar ndonjëherë”, tha ai sipas The Gardian.
Lloyd’s, i cili drejton tregun më të madh të sigurimeve në botë, ka kompani aktive në tregjet e sigurimeve të pronës dhe detit midis 77 kompanive që operojnë brenda tij.
Të mërkurën, analistët në Barclays vlerësuan se siguruesit mund të përballen me pretendime deri në 3 miliardë dollarë (2.4 miliardë £) si rezultat i shembjes së urës.
Barclays tha se vetëm pretendimet për dëmtimin e urës mund të arrijnë në 1.2 miliardë dollarë dhe gjithashtu mund të ketë detyrime midis 350 dhe 700 milion dollarë për vdekjen e njerëzve.
Qindra miliona dollarë më shumë ndoshta do të duhet të paguhen për ndërprerjen e biznesit të shkaktuar nga mbyllja e portit.