Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi thotë se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani është një nga njerëzit më të ndershëm që ka njohur sistemi i drejtësisë. Ai i bëri thirrje Berishës dhe zyrtarëve të tjerë të PD-së që të ndalin akuzat ndaj Dumanit, pasi sipas tij, po ‘qelbin’ Shqipërinë me këto shpifje.
”Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD që sulmojnë Altin Dumanin, duke ia quajtur edhe zyrën 28 metra katror apartament dhe garazhin 16 metra katror apartament, janë në lajthitje. Sepse për një opozitë të mirëfilltë me një program që pret të vijë në pushtet, SPAK dhe BKH duhet të jenë aleat, jo armiq.
Berisha është i mençur, i këshillon edhe këshilltarët ndonjëherë. Por është në të shtrembër kur sulmon SPAK dhe sidomos Altin Dumanin. Të jesh i bindur, unë jam bashkëkohës në punë, unë si drejtor Policie, ndërsa Altin Dumani si kreu i Prokurorisë së një rrethi apo i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur vetë Sali Berisha, vetë qeveria e Sali Berishës e ka trajtuar të pastrehë dhe ka rezultuar i pastrehë Altin Dumani dhe ka marrë kredinë.
Unë e mbaj mend momentin, kohën, shqetësimin, sepse ishte një njeri që jetonte me qira. Të gjitha ato që ia numërojnë sot Dumanit për apartamente, nuk bëjnë as sa një dhomë e një politikani po t’i bësh bashkë. Berishës i them mbylle këtë kapitull se keni qelbur Shqipërinë. Altin Dumani është SHBA në Shqipëri, është njeriu më i ndershëm që ata kanë pikasur këtu”, tha Prençi në ”A2cnn”.