Nga Namir Lapardhaja
Përveçse e shëmtuar, sjellja e Nokës dhe e Bardhit në Komisionin e Edukimit, nuk ka asnjë përkufizim tjetër.
Më e shëmtuar se vetë shëmtia është se po akuzonin Flutura Açkën dy deputetë që nuk kanë lënë akuzë pa i bërë njëri-tjetrit, duke filluar nga vilë 750 mijë euro, tek miqësia me bandat dhe me oligarkët në dëm të demokratëve etj. me radhë.
Më e shëmtuar se kjo shëmtia e akuzave është se, ndërsa Noka bënte atë që di të bëjë më mirë, Bardhi në mënyrë të shëmtuar i drejtohej Fluturës që mos të merrej me këtë punë, por të shihte librat.
Atje te librat, i gërthiste, sikur librat të ishin ndonjë gjë e turpshme dhe jo diçka fisnike.
Pikërisht gaztori që mburrej në fushatën e 2021 në Elbasan që në listë ishte shkrimtarja Flutura Açka, tani drejtonte gishtin e akuzës nga librat, meqenëse zonja vjen nga bota e librit.
Më e shëmtuar nga të gjitha shëmtitë e mësipërme, është se vite më parë kur Edi Rama e mbushi Parlamentin me banditë dhe gangsterë, këta që sot janë shndërruar në protagonistë të dhunës dhe sherrit, ishin objekt i dhunës së rrugeçërve të Ramës.
E shëmtuar kur rriheshin, po aq e shëmtuar kur bëjnë si të fortë me gratë.
Më e shëmtuar se të gjithë shëmtitë e deritashme, është kur thonë se janë votuar nga demokratët për të bërë opozitë dhe jo nga socialistët, sikur vetëm këta ta kenë “monopolin” e opozitarizmit dhe gjithçka tjetër që thuhet jashtë tyre, i shërben pushtetit.
Shëmtia e parë e kësaj shëmtie që thuhet është se askush nuk ka monopolin e të bërit opozitë dhe opozita nuk mund të jetë e njëtrajtshme dhe e njëmendimshme, e lidhur vetëm me fatin e një personi, por duhet të glojë nga polivalencat dhe qasjet e ndryshme, duke u lidhur pas ideve dhe jo pas fateve personale, dhe, së dyti, këta që e kanë tradhëtuar më së shumti besimin e demokratëve gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet, duhet ta dinë që edhe sot po luajnë me fatin e tyre, sepse ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke mos i ndjekur përposhtë ballkonit që po i çon poshtë e përposhtë në rrugën e tyre qorre.
Dhe për t’i vënë vulën kësaj historie me shëmti deputetësh, më e shëmtuar nga gjithçka më sipër është se, ndërsa paradite bëjnë skena në Parlament, duke akuzuar kolegët e tyre për bashkëpunim me pushtetin, pasdite ulen me ndërkombëtarët pikërisht për të realizuar së bashku me mazhorancën atë që paradite akuzonin kolegët e tyre për tradhëti ndaj demokratëve.