Shëndetësia falas? Barra e barnave zhyt në mjerim pensionistët shqiptarë

Nurie Kuliçi punoi për 25 vjet në arsim në rajonin verior të Tropojës dhe 11 vite punë të ndryshme në Tiranë, ku u zhvendos në vitin 2006. Karriera e saj e gjatë në shërbim të komunitetit u shpërblye me një pension mujor prej 19 mijë lekësh, nga të cilat 7 mijë lekë në muaj i shpenzon për barna.

“Shpenzoj për ilaçet e tensionit, e yndyrës në gjak,”– tha gruaja 70 vjeçare. “Po ashtu prej reumatizmës duhet të marr edhe Omega 3, multivitamina…”,-shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se nga rimbursimi i barnave që merr nga skema e sigurimit shëndetësor publik përfiton vetëm 1300 lek në muaj.

Edhe pse pensionistët janë në kategoritë e personave që përfitojnë rimbursim barnash nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një ankete online tregojnë që pjesa dërrmuese e tyre paguajnë para nga xhepi për të blerë barna.

Ky shpenzim rëndon mbi ekonominë e tyre të brishtë familjare, e cila mbështetet tek pensionet modeste të pleqërisë dhe remitancat financiare nga fëmijët emigrantë. Pesha e shpenzimeve për barna në raport me të ardhurat e pensionistëve është rritur gjatë dekadës së fundit, për shkak se rritja e pensioneve ka qenë me e vogël se inflacioni.

Që prej vitit 2017, inflacioni tek pensionistët matet i ndarë nga inflacioni mesatar në rang vendi.

“Pensionistët nuk kanë të njëjtën shportë konsumi me atë që përllogaritet për inflacionin, pasi konsumojnë më shumë ilaçe, produkte ushqimore,” – thotë Klodian Muço, ekspert i ekonomisë. “Kështu që gjithmonë inflacioni është më i ulët se sa shporta reale e shpenzimeve që bëjnë pensionistët,” -shtoi Muço.

Kosto e barnave rëndon pensionistët

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rreth 60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri përballohen nga xhepi i qytetarëve. Kjo kosto që përllogaritet në 27 mijë lekë në vit, rëndon në mënyrë të veçantë pensionistët, për shkak të pensioneve të tyre të vogla.

Nëpërmjet një ankete online të realizuar me aplikacionin ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), Citizens.al mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni dhe eksperiencat e tyre në përballimin e shpenzimeve për barna. Shumica raportuan se ilaçet ishin një nga hallkat kryesore të shpenzimeve të tyre mujore.

Nga 50 pensionistë që e plotësuan anketën, 43.8% e tyre u shprehën se barnat i blinin në farmaci me kosto të plotë, 21,9% me rimbursim të pjesshëm dhe 17,2% me rimbursim të plotë. Ndërsa, një pjesë e tyre (15%) prisnin që barnat t`ua sillnin fëmijët që i kanë jashtë vendit.

“Kostot për shërbimet shëndetësore janë tepër të larta, cilësia e ilaçeve e dobët ndaj i porosisim jashtë shtetit,” -shkroi Vera Xheka nga qyteti juglindor i Bilishtit.

Ilirjana Mandreja, një tjetër pensioniste, shprehet se një pjese e mirë e pensionit të saj dhe të bashkëshortit shkon për barna dhe shpenzime shëndetësore.

“Diku te 150 mijë lekë (të vjetra)i harxhojmë për ilaçe dhe po kaq pra 150 mijë për ujë, drita, telefon, internet”,- shpjegoi ajo. Shërbimi shëndetësor publik i mbingarkuar me pacientë i detyron pensionistët që shpeshherë të shkojnë drejt privatit për të marrë shërbime.

“Më duhet të bëja një analizë se isha e sëmurë, më tha hajde pas një muaji. Po ç’vlerë kishte ajo analiza pas një muaji? U detyrova t’i bëj në privat”, -tregoi Ilirjana Mandreja.

Ndërkohë, Ilir Mehmeti përllogarit se shpenzimet mujore për ilaçe i zënë 35% të pensionit prej 16 mijë lekësh.

“Marr një ilaç për prostatën që vete 16 mijë lekë, 10 mijë lekë shkojnë këto të diabetit. 25 mijë lekë më bëjnë fishat e diabetit,”– shpjegoi ai.

“Pra shkojnë gati 52 mijë lekë me gjithë holluesin e gjakut e ndonjë paracetamol,” -rrëfeu Iliri, i cili thotë se nuk përfiton asgjë me rimbursim.

Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) pensioni mesatar në vitin 2023 ishte 15,569 lekë dhe pësoi një rritje prej vetëm 444 lekësh nga një vit më parë.

pensionet ne qytet

Sipas Bankës Botërore, kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve e prekin këtë prag.

“Aktualisht INSTAT-i në 2022 e ka llogaritur 640 lek të reja në ditë, që nënkupton që gati 40% e popullsisë shqiptare jeton me më pak se sa kaq para,” -shpjegoi Klodian Muço.

Rritja e papërballueshme e çmimeve

Përveç kostove të larta të barnave që paguajnë nga xhepi, pensionistët shqiptarë përballen me rritjen e çmimeve te produkteve të shportës, që u gllabëron një tjetër pjesë të konsiderueshme të pensionit, duke i vendosur në vështirësi për t’u ushqyer.

“Këto më të thjeshtat, një mollë, një banane, një supë, një vezë, një çaj, një kos, asgjë tjetër”, tha Nurie Kuliçi, duke numëruar produktet e shportës që kishte blerë herën e fundit në treg. “Po të mos më dërgojë ai fëmijë ndonjë lek, unë as bukën mujore nuk e siguroj,”- u ankua ajo.

87,5% e pensionistëve që iu përgjigjën anketës së Citizens.al, u shprehën se në fund të muajit nuk ju mbeten para, ndërsa 72,1% e tyre u shprehën se i ndihmojnë fëmijët me para, për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërkohë, 14% e tyre raportojnë se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Gjatë viteve të fundit, kostoja e produkteve është rritur edhe për shkak të inflacionit të lartë të shportës së ushqimeve. Në qershor të vitit 2022, inflacioni kapi vlerën 7.4%, në nivelin më të lartë në Shqipëri që nga vitit 1998.

Ushqimet ishin një nga kategoritë që u ndikuan më shumë nga kjo rritje e çmimeve, ku buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 20%, vaji dhe yndyrat me 30%, ndjekur nga bulmeti me 19% dhe mishi me 9%. Edhe pse me ritme më të ulëta, edhe në vitin 2023 dhe 2024 kurba e çmimeve ka qenë në rritje.

“Nuk i arrijmë dot, djathërat e shtrenjtë, mishi që është 25-26 mijë lekë, filetoja e viçit, janë gjëra që ne nuk i shohim”, – tregon Ilirjana Mandreja, e cila rrëfen se për të blerë produktet e shportës ajo gjurmon tregjet e një cilësie të dobët, por që shiten lirë. “Jo vetëm marrim më pak, por marrim dhe cilësinë më të dobët,”- shtoi ajo.

Për Ilirjanën dhe bashkëshortin e saj mjaft produkte bazë janë kthyer në luks, ndërsa për shkak të pamundësisë ekonomike ka reduktuar edhe sasinë e produkteve që blen.

Pensionet në vendnumëro

Informaliteti dhe puna në të zezë në treg ul numrin e kontribuuesve në skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe ndëshkon pensionistët.

Nurie Kuliçi ka punuar 11 vite si kameriere dhe banakiere në të zezë, pa kontratë. Si pasojë, masa aktuale e pensionit i referohet vetëm viteve të punës si mësuese.

“Isha e detyruar, isha me katër fëmijë të vegjël, im shoq ishte i sëmurë,” -rrëfeu ajo, ndërsa theksoi se i “duhej buka e fëmijëve”.

Ndërsa pagat e administratës kanë pësuar një rritje të ndjeshme, pensionet kanë ngecur në vend dhe kanë pësuar një rritje me vetëm 6%, krahasuar me ato para pandemisë.

Ilir Mehmeti, me profesion topograf prej vitit 1975, doli në pension 4 vite më parë. I pakënaqur për masën e pensionit prej 21. 900 lekë, ai thotë se u penalizua nga pagesat me dy bilance.

“Një pjesë të pagës na e jepnin në bankë, një pjesë në dorë, ndaj edhe pensionet dalin të vogla,” -shpjegoi ai. “Tani kur vjen në fund thotë jo të kishe paguar më shumë,”– shtoi Iliri.

Sipas skemës aktuale publike të pensioneve, nevojiten 35 vite sigurime shoqërore si kontribute për të përfituar pension të plotë, ndërsa periudha minimale për të siguruar pensionin është 15 vite.

Në vitin 2023, Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është shtuar numri i personave që kanë dalë në pension të pjesshëm, pasi nuk kanë mundur të plotësojnë vitet e plota të punës. Mesatarisht, qytetarët që dolën në pension në vitin 2023 kishin punuar me sigurime për 26,8 vite, shumë më pak se sa kriteri ligjor prej 35 vitesh për pension të plotë.

Sipas Klodian Muços është e vështirë të themi sa duhet të jetë një pension për të qenë dinjitoz, por ai sugjeron se së paku duhet të jetë sa minimumi jetik i propozuar nga “Avokati i Popullit”. Mirëpo, vendi ynë ende nuk ka një minimum jetik të përcaktuar, por ofron një ndihmë sociale prej 8 mijë lekësh në muaj, duke mos garantuar kësisoj mirëqenie të qytetarëve.

“Aktualisht pensioni mesatar në Shqipëri është më pak se sa minimumi jetik, llogaritet diku te 18800 mijë lekë, por në qoftë se do ti ndanim pensionet pastaj në pension qyteti dhe pension fshati janë shumë më të ulët se sa minimumi jetik,” -tha ai.

Pensionet dhe kontribuuesit në skemë

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në skemën e pensioneve për vitin 2023 ishin 590,649 persona, nga të cilët pensionistët e qytetit u shtuan me 22,330 persona, ndërsa pensionistët e fshatit u pakësuan me 4,414 persona. Në total, skema u rrit me 17,913 përfitues më shumë se sa viti 2022.

Sipas Klodian Muços, plakja e shpejtë e popullsisë rrezikon të fusë në krizë sistemin e pensioneve.

“Në 1990 katër persona punonin dhe vetëm njëri përfitonte një pension pleqërie. Aktualisht kemi 1.17 kontribuues për një përfitues”, -tha Muço. “Në qoftë se nuk do të kemi ndërhyrje reale konkrete me shumë gjasa në 2030-ën, skema kalon ‘default’, pra skema nuk përballohet më”, -sqaroi ai.

Besnik Keta, ish minator për 3 dekada në minierën e Batër-Martaneshit, doli në pension të parakohshëm në vitin 2001 dhe përfitoi vetëm 5,100 lekë. Kur doli në pension të plotë në vitin 2005, përfitoi vetëm 12 mijë lekë pension mujor.

“Unë e kontestova këtë, gjashtë muaj nuk e mora pensionin fare. Kisha bindjen e plotë që m’i kanë llogarit keq. Doli që më kishin mohuar 32 mijë lekë të vjetra në atë kohë. Nga 120 shkoi 152”, – rrëfeu Keta.

Mirëpo, insistimi i tij nuk përfundoi këtu. Në 2019 ai u bë pjesë e protestave të minatorëve për më shumë të drejta.

“Kush pati mbushur moshën 65 vjeç në atë kohë i dhanë 1% deri në 20 vite pune. Dhe unë mora 65 mijë lek në atë kohë. Sot ka shkuar 75 mijë lek plus. Sot vetëm prej këmbënguljes për të drejtat e mia e kam pensionin 39 mijë lekë,” -rrëfen me krenari Besnik Keta, edhe pse ndjen dhimbje për kolegët e tij të nëntokës të cilët rrallë marrin 30 mijë lekë pension.

Pas një jete dedikuar arsimit, Nurie Kuliçi ndjehet gjithashtu e zhgënjyer nga pensioni që përfiton.

“Tërë ata nxënës që janë në çdo cep të botës sot, janë të dalluar se kam lënë shpirtin me ta sikur të kishin qenë fëmijët e mi,”– tha ajo. “Nuk është jetë kjo, thjesht frymojmë”, -përfundoi Kuliçi.

Citizens Channel

Exit mobile version