Shëndetësia nuk është biznes – Diana Toma hyn në politikë me Koalicionin Euroatlantik për ta thënë këtë në Parlament

Diana Toma, farmaciste me një karrierë 25-vjeçare dhe ish-Presidente e Urdhrit të Farmacistit, ka shpallur kandidaturën e saj për deputete në qarkun e Tiranës, nën siglën e Koalicionit Euroatlantik, e listuar në kolonën 4 të fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në deklaratën e saj publike, znj. Toma e cilëson këtë hap si një vijimësi të natyrshme të angazhimit të saj profesional në mbrojtje të sektorit farmaceutik dhe shëndetësor në Shqipëri.

“Pas afro 25 vitesh përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen dhe zhvillimin e farmacisë shqiptare, angazhimi im në Kuvendin e Shqipërisë është mënyra më e saktë dhe më e fortë për të vijuar këtë mision,” – u shpreh znj. Toma.

Ajo rendit si prioritet të saj kryesor reformimin rrënjësor të sektorit farmaceutik dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor, me qëllim që qytetarët shqiptarë të marrin shërbim shëndetësor të krahasueshëm me atë të vendeve të Bashkimit Europian.

Disa nga pikat kyçe të platformës së saj përfshijnë:

Luftën kundër monopoleve në farmacitikë;
Hartimin e ligjeve në përputhje me direktivat e BE-së;
Sigurimin e barnave cilësore në tregun shqiptar;
Rritjen e rolit të farmacistit si profesionist i kujdesit shëndetësor;
Mundësinë për specializime brenda vendit për farmacistët;
Nxitjen e industrisë prodhuese farmaceutike;
Reformimin e institucioneve shtetërore që mbikëqyrin këtë sektor, duke i çliruar nga ndikimi politik.

“Që të gjitha këto të realizohen, kërkohet vullnet politik dhe përfshirje e profesionistëve në politikë. Kjo është arsyeja pse vendosa të hyj në një fushë që më ishte e largët: politikën,” – përmbyll ajo.

Diana Toma paraqitet në këto zgjedhje si një zë i fuqishëm profesional, me vizion europian dhe përkushtim ndaj qytetarëve, duke përfaqësuar një alternativë të re të besueshme në listën e Koalicionit Euroatlantik – numri 4 në fletën e votimit.

Publikimi i Diana Tomës:

Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Të nderuar kolegët e mi,
Të nderuar miq e dashamirës!
Përgjigjen time, me kandidim në Koalicionin Euro Atlantik (KEA), listuar në kolonën e katërt(4), të listës së miratuar tashmë nga KQZ, për zgjedhjet e 11 majit 2025, e shoh si një rrugëtim të natyrshëm timin e vazhdë të aktivitetit tim, gati 25 vjeçar, me përpjekje intensive, por pa angazhim politik, në funksion të ruajtjes, mirëfunksionimit e zhvillimit të sektorit farmaceutik në Shqipëri. Pas gjithë këtyre viteve, ashtu si u shpreha më lart, në angazhim të drejtpërdrejtë, në mbrojtje të profesionit tim, duke u përfshirë në aktivitete të ndryshme, vlerësoj se të qenit pjesë e parlamentit shqipëtar, është mënyra e duhur, me e saktë, më superiore, për të vazhduar përpjekjet e mia, për të patur një sistem farmaceutik e shëndetësor të konsoliduar, pasi kjo është ajo që meritojnë qytetarët shqipëtar.
Që qytetari shqipëtar të mjekohet si të gjithë qytetarët e Europës, është domosdoshmëri:
– Shkatërrimi i monopoleve në farmaceutikë;
– Hartimi i ligjeve në përputhshmëri me direktivat e BE-së;
– Furnizimi i tregut me barna cilësore që gjenden në vendet e BE-së;
– Rritja dhe fuqizimi i figurës dhe rolit të farmacistit. Kjo gjë,realizohet duke e kthyer farmacinë tek farmacisti e duke e vlerësuar jo si njësi tregëtare, por mirëfilltazi si njësi, ku jepet kujdes shëndetësor;
– Farmacistët duhet të kenë të drejtë e mundësi të specializohen në vendin e tyre, e drejtë e munguar kjo deri më sot.
– Zgjerimi i industrisë prodhuese farmaceutike në vendin tonë, nëpërmjet afrimit të prodhuesve nga tregjet e konsoliduara botërore;
– Institucionet shtetërore, përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij sektori, të kthehen në përmbushëse të detyrimit për të cilën ligji i ka krijuar e jo si deri më sot, që janë shndërruar në çerdhe të militantizmit e për pasojë të paaftësisë.
Që të gjitha këto të realizohen, duhet vullnet politik e profesionistë të përfshirë në politikë, ndaj dhe une vendosa të kontribuoj në një sferë si politika, shumë të largët e të pa menduar nga unë më parë.
Përzemërsisht
DIANA TOMA

Artikulli paraprakSHBA rikthehet në SPAK, ekspertët e OPDAT nisin punën! ‘Mesazh’ prokurorëve nga administrata e Trump!
Artikulli tjetër“Programi i Koalicionit Euroatlantik, më i miri në 35 vite”, Basha: Kemi vendosur në qendër të vëmendjes familjen, shtresën e mesme, sipërmarrjen, rininë shqiptare